
“U duk si një grusht në stomak”, Federata e Futbollit e Suedisë me reagim pas humbjes nga Kosova
Federata e Futbollit e Suedisë e ka cilësuar si të merituar fitoren e Kombëtares së Kosovës të hënën mbrëma në Prishtinë.
Dardanët morën një fitore të madhe dje (e hënë) në stadiumin Fadil Vokrri, duke mposhtur Suedinë me rezultat 2-0, falë golave të Elvis Rexhbecajt dhe Vedat Muriqit.
Kjo fitore e Kosovës u vlerësua edhe nga vetë Federata e Futbollit të Suedisë, e cila e cilësoi humbjen e tyre si “një grusht në stomak”.
“Nëse humbja e pikëve në Lubjanë kundër Sllovenisë u duk e hidhur gjatë ndeshjes hapëse të kualifikueseve të Kupës së Botës të premten, humbja ndaj Kosovës në Prishtinë të hënën u duk si një grusht në stomak për të gjithë të përfshirët”.
“Kosova ndoqi planin e saj të lojës në mënyrë të përsosur dhe kundërsulmoi Suedinë, e cila pati vështirësi në krijimin e rasteve për shënim në humbjen 2-0”, ka shkruar Federata e Futbollit të Suedisë në raportin e saj.
Ndryshe, edhe reagimet e trajnerit John Dahl Tomasson dhe Alexander Isak ishin po të njëjta me ata të Federatës së Futbollit të Suedisë, pasi e cilësuan fitoren e Kosovës si të merituar. /telegrafi