FFK-ja mbështet vendimet e gjyqtarëve në finalen Dukagjini – Ferizaj

FFK-ja mbështet vendimet e gjyqtarëve në finalen Dukagjini – Ferizaj

Sport May 23, 2026 - 16:29

Federata e Futbollit e Kosovës ka vlerësuar si të drejta vendimet e arbitrave në finalen e Kupës së Kosovës mes Dukagjinit dheFerizajt, ndeshje e cila u karakterizua me tensione të mëdha, sidomos në minutat e fundit.

Takimi ka pasur ndërprerje të përkohshme pasi skuadra e Ferizajt ishte larguar nga fusha në minutën e tretë të kohës shtesë, duke protestuar për një penallti të pakorduar. Futbollistët ferizajas kishin pretenduan për prekje me dorë në zonë nga mbrojtësi Albion Pllana, por gjyqtari kryesor, Genc Nuza, nuk kishte akorduar penallti, çka kishte shkaktuari reagime të ashpra nga lojtarët dhe stafi i Ferizajt.

Situata ishte tensionuar edhe më shumë pasi kapiteni i Ferizajt, Betim Haxhimusa, ishte ndëshkuar me karton të kuq, ndërsa trajneri Arsim Abazi kishte vendosur ta tërhiqte ekipin nga fusha. Futbollistët ishin drejtuar përkohësisht në zhveshtore, ndërsa ndeshja kishte mbetur e ndërprerë për disa minuta.

Pas rikthimit në fushë, loja ka vazhduar deri në fund, por Ferizaj nuk ka arritur ta ndryshojë rezultatin dhe ndeshja ishte mbyllur me fitore 2:1 për Dukagjinin.

Pas ndeshjes Ferizaj nuk kishte pranuar medalje, ndërsa e kishte lëshuar edhe një komunikatë për media, duke theksuar se nuk ishte lejuar që ta fitojë ndeshjen. 

Në analizën zyrtare të rasteve të gjykimit, FFK ka mbështetur vendimet e ekipit të arbitrave në dy momentet kyçe të takimit.

Sipas FFK-së, në minutën e tridhjetë e pestë nuk është dashur të akordohej penallti për Ferizajn, pasi lojtari me numër 22 kishte synim të krijonte kontakt, ndërsa portieri nuk kishte bërë lëvizje shtesë për ta penguar, duke i pasur më herët të dyja duart në tokë.

Ndërkohë, për rastin e minutës së tetëdhjetë e nëntë, federata ka sqaruar se para pretendimit për prekje me dorë në zonë kishte një faull të qartë në sulm nga lojtari me numër 22 i Ferizajt ndaj lojtarit me numër 4 të Dukagjinit. Sipas FFK-së, gjyqtari fillimisht e vonoi bilbilin sipas udhëzimeve të arbitrimit, ndërsa më pas u kthye te vendimi për faull në sulm.

FFK ka bërë të ditur se edhe dhoma e VAR-it e konfirmoi vendimin e gjyqtarit në fushë, duke vlerësuar se ndërhyrja në sulm ishte evidente dhe se prekja e pretenduar me dorë kishte ndodhur në shpatull, e cila sipas rregullave nuk konsiderohet lojë me dorë./rtk