Zërat
Valentina Tredhaku
Valentina
Tredhaku

Tetori i studentëve dhe andrrave të bukura

Zërat October 03, 2023 - 16:52

Si sot para 16 vitesh më kujtohet vetja ulur në amfiteatrin e fakultetit të Mjekësisë. Në orën e Anatomisë një alamet profesori i asaj kohe, ndër llafet e para që na tha ishte se ai ishte më se i sigurtë se jo të gjithë ne që ishim ulur aty do te bëheshim farmacistë, por një pjesë e madhe tha që do të përfundonim kondukterë autobusesh, kamarierë, frizerë etj. Një gjë e tillë tha që nuk do të duhej të na çudiste, se jo të gjithë janë të bërë per shkolla të vështira. Edhe ashtu tha qe ky profesion pas 7-8 vitesh kur më në fund ta kemi përfundu ne fakultetin, nuk do të ketë më perspektivë të mirë. Do ta kemi të vështirë të gjejmë vende pune, me një fjalë.

Toni i kësaj deklarate kaq cinike e dekurajuse, ndonëse në esence ka edhe dicka të vërtetë, m’ka pase irritu fort. Megjithëse kam pasë qenë shume e motivuar e krenare që pata arritë të pranohem ne një dege ku pranoheshin vetëm 20 kandidatë, nuk e mohoj që më ka pasë bërë edhe të dyshoj në vete. A e kam bërë vërtetë zgjedhjen e duhur? A ja vlen me studiu kaq gjatë e kaq shumë e në fund mos me pasë vend pune? Ndoshta kam qene më e talentuar per një drejtim tjeter, cka nëse nuk ja dalë t’i pëfundoj studimet, cka do të mendojnë prindërit, rrethi, njerëzit etj…

Sot pas kaq shumë vitesh, kisha pasë shumë dëshirë që cdo i ri me ditë që ckado që ndërmerr në këtë moshë është mësim, e jo gabim. Që po, nëse sot je ulë në bankat e Universitetit ja ka vlejt, edhe nëse pas nji apo dy vitesh do të konstatosh që s’paska qenë drejtimi i duhur per ty, prap ja ka vlejt, sepse nga kjo përvojë ke mësu shumecka të re. E ke njoftë veten ma mirë, dhe mundësia që në të ardhmen ta gjesh degën adekuate për ty është shumëfish ma e madhe.

Mos lejo të të dekurajojnë profat cinikë si ai që përmenda në fillim. Këta lloj profesorësh zakonisht njihen edhe si profesorë të vështirë, te të cilët me vështirësi kalohet provimi, e lere më të merren nota të larta. Prap, mos u dekurajo nga notat e tyre. Notat nuk janë dija jote, dhe vështire se dikush në të ardhmen do të të pyes për notat. Mëso shumë, kaloje provimin dhe ji i lumtur që mund të vazhdosh tutje.

Ji ambicioz e kërkues nga vetja në studime, por mos harro që jeta pas studimeve është shumë më e gjatë, e për të qenë i suksesshëm aty të duhen disa aftësi të tjera që pakkush t’i përmend në gjimnaz a Merr pjesë në kampe e shkolla verore. Aty do të njoftosh njerëz të rinj që vijnë edhe jashtë Kosoves. Kështu meson dicka nga kultura e gjuha e tyre. Zgjeron diapazonin e njohurive tua të përgjithshme.

Lexo sa më shumë libra, dëgjo Podcaste, shiko filma e dokumentarë. Mos e gënje veten që nuk ke kohë. Shiko njëherë sesa kohë hargjon në Instagram, dhe do të bindesh qe shumë kohë e kalon kot, pa mësuar asgje.

Udhëto sa më shumë. Kështu bëhesh më i pavarur, më modest, më mendjehapur për t’i pranu të tjerët ashtu sic janë, jo paragjykues, e mbi të gjitha do ta njohësh veten më mire. Vizat po që janë një pengesë, por besoj që deri tash ke arritë edhe vetë me kuptu që kur ekziston një dëshirë e madhe, gjendet edhe mundësia.

“Work and travel” është një mundësi e mirë. Do të njohesh me nga afër një shtet e kulturë tjetër, dhe do të mësosh ta vlerësosh paranë e fituar me mund. Do te mësohesh t’i respektosh edhe më shumë prindërit dhe cdo njeri që punon ndershëm. Do të bëhesh më empatik, e empatia do të të bëj shumë tërheqës në shoqëri.

Mos i degjo ata që të thonë se kështu do të mbetesh një semester mbrapa kolegëve tu, sepse mësimet që merr nga udhëtimet nuk i merr në asnjë universitet, e lere më në një semester studimesh. Meso një gjuhe të huaj. Mos lejo të mbarosh studimet pa e pasë mësu bile gjuhen angleze. Eshtë dicka që do të të hapë dyer të shumta edhe në tregun botëror të punës, e poashtu do të ta mundësoj të krijosh lidhje me njerez nga e gjithe bota. Anglezet thone: „Conections are more important than money“.

E di qe shumëkush ta ka thënë deri tash se sa e rëndësishme është të jesh „i gjinshëm“ në jetë. Ty edhe vetë të është krijuar përshtypja në Testin e Matures se jo gjithmonë më të mirët arrijnë rezultatet më të mira. Se dikush që ka ditë afër kujt me u ulë në Test ka marrë më shumë pikë sesa dikush që me forcat e veta ka plotësuar testin. Por ky lloj suksesi duhet ta dish që nuk është përmbushës. Një sukses i pamerituar nuk të lumturon, dhe rrjedhimisht nuk të duhet. Bëhu i suksesshem duke qenë i dinjitetshëm, sepse vetëm kështu do të vlerësohesh kudo në botë, jo vetëm në Kosovë.

E di që këto ditë do të jesh bombarduar me fjalime të shumta nga rektorë, dekanë e profesorë. Sido që kanë qenë, motivuese apo dekurajuese, duhet ta kesh në mendje që pak ka rëndësi se cka flasin ata. Më e rëndësishmja është qasja jote ndaj studimeve dhe jetës në përgjithësi. E rëndësishme është ajo që ti ia thua vetes tënde cdo ditë, sepse me veten tënde zhvillon bisedat me të rëndësishme. Kështu, zhvillo një qasje pozitive ndaj jetes në pergjithesi, duke qenë falenderues për gjithcka që ke, e që ke arritë deri tash. Me qene ulur ne bankat e universitetit është privilegj dhe mundësi e artë që në të ardhmen të zgjedhësh vetë ku dhe me kë te ulesh.

Autorja është farmaciste dhe profesionin e saj e ushtron ne Gjermani.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK