Kurti: Gruaja ime i flet vajzës norvegjisht, e unë i flas shqip

Zgjedhjet 2017 May 30, 2017 - 21:23

Kandidati për Kryeministër nga Vetëvendosje Albin Kurti në Magazina Zgjedhore në Klan Kosova ka shpjeguar pse parafushatën e ka bërë me gruan dhe vajzën e tij, për herë të parë, njofton Klan Kosova.

“Së pari në zgjedhjet e vitit 2014, vajza ime nuk ka qenë e lindur dhe gruaja ime ka qenë në muajt e fundit të shtatzënisë. Por, kësaj radhe në disa prej aktiviteteve që kemi bërë, kemi qenë me bashkëshorten për shkak se ajo dhe vajza ime më mbështesin pa kursim dhe mua më ka ndryshuar jo vetëm statusi por edhe jeta sepse njëherë isha i vetëm, pastaj  u shtua familja ime, sepse u martova dhe na lindi vajza”.

Kurti tregoi edhe cila gjuhë flitet në shtëpinë e tij pasi që gruja e kandidatit për Kryeministër është norvegjeze.

“Bashkëshortja i flet vajzës norvegjisht unë i flas shqip, e me gruan flas herë shqip e herë anglisht, kështu që vajza ime po i mëson tri gjuhë në të njëjtën kohë”.

Në pyetjen se ku do ta rrisë vajzën, Kurti tha se 11 qershori do të jetë një shans që fëmijët të rriten në një Kosovë më të përparuar.

“Prandaj janë këto zgjedhje, prandaj 11 Qershori është një shans që fëmijët tanë të rriten në një Kosovë më të përparuar, si në aspektin zhvillimor, si në arsim, si në shëndetësi”.

“Populli duhet t’ju drejtohet pasivisht kutive në mënyrë që të realizojë ndryshimin, se nëse deri dje ka qenë i nevojshëm tani është i domosdoshëm”.