Pacolli: Ëndrrën e heronjve për Kosovën e lirë dhe demokratike, do ta jetësojmë me vepra

Zgjedhjet 2017 June 01, 2017 - 19:59

Aleanca Kosova e Re, bashkë me partnerët e koalicionit nga LDK-LD-Alternativa, ka hapur fushatën zgjedhore në Prishtinë, me ç ‘rast janë prezantuar edhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nga radhët e koalicionit.

I përcjellur nga duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta të mijëra simpatizantëve të pranishëm, presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha se koalicioni AKR-LDK-LD-Alternativa, përbëhet nga një aleancë e njerëzve të suksesit që e duan dijen, përgjegjësinë, vlerat morale dhe profesionalizmin.

 “Kjo aleancë e shpresës, është e ndërtuar me synime dhe parime fundamentale. Të ndërtojmë një shtet të fortë ekonomikisht, të ngrisim standardin jetësor të qytetarëve e bashkë me të edhe vetëdijen. Ne do ta ndërtojmë një vend për qytetarët, ku të gjithë do të kenë të drejta të barabarta”, ka thënë ai.

Pacolli ka treguar se baza e këtij koalicionit do të jetë rritja ekonomike mbi 8% dhe krijimi i mbi 70 mijë vendeve të reja të punës. “Në mandatin e parë do të përgjysmojmë importin nga Serbia, ndërsa në vitin e parë të qeverisjes, të rinjve do t’iu kthehet perspektiva pasi që ata do të kenë mundësi të punësohen. Entet e punësimit do te kthehen ne grupe pro-aktive, që do te merren me shqyrtimin e ideve brilante të cilat burojnë nga rinia”, ka thënë presidenti Pacolli.

Lideri i AKR-së ka shtuar më tej se zgjedhja e koalicioni i shpresës, do ta përmirësoje imazhin e Kosovës në botë dhe kjo do të ndikojë që njohjet për shtetësinë e saj të rriten. Pacolli gjatë fjalimit të tij në tubimin qendror të Fushatës në Prishtinë, ka folur edhe për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në diasporë. Ai ka thënë se me koalicionin AKR-LDK-LD-Alternativa, diaspora do të jetë e përfaqësuar edhe në proceset vendimmarrëse në instutucionet e Kosovës.  Numri një i AKR-së theksoi se koalicioni i shpresës dhe bashkimi i njerëzve të suksesit dhe kuadrove profesionale është jetësim i ëndrrës së presidentit Rugova.

“Ne jemi betuar se do të punojmë për qytetarët e Kosovës, ndërsa ëndrrën e heronjve për Kosovën e lirë dhe demokratike, do ta jetësojmë me vepra”, ka thënë Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli në fjalën e tij para qytetarëve të Prishtinës.