Refiqe Tërnava zbulon prioritetet e saj nëse bëhet deputete, tregon pse zgjodhi AKR'në

Zgjedhjet 2017 June 01, 2017 - 21:16

Kandidatja për deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Refiqe Tërnava-Beka, ka thënë se ka vendosur të inkuadrohet në politikë për të kontribuuar në ndryshimin e vendit.

Tërnava-Beka ka thënë se i është bashkuar radhëve të AKR'së, që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, sepse, sipas saj, kjo parti ka arritur ta ruajë dinjitetin e vet si parti.

"Sot situata politike në Kosovë ka arritur në një fazë që po të inkuadrohesh në një parti politike është e pa mundur të mos etiketohesh për hajni ose korrupsion. Në anën tjetër kemi të rinj që kanë talent, inteligjencë dhe dëshirë për ta ndryshuar këtë gjë, mirëpo stagnojnë pikërisht për të mos u etiketuar me këto vlera degraduese. Duke e pasur këtë gjë në mendje, jam munduar të jem shumë selektive në përzgjedhjen e subjektit politik që mund t’i bashkëngjitëm", ka thënë ajo.

"Kjo parti njihet të ketë një kryetar që ka treguar atdhedashurinë e tij duke i dhuruar vendit shumë pa kushte apo kërkesa kompensimi. Është po ky kryetar që më ka dhënë hapësirën e nevojshme që unë të ngre dhe adresoj çështjet që na preokupojnë dhe të jap kontributin që më obligon vendi im", ka treguar Tërnava-Beka.

Ajo ka thënë se nëse bëhet deputete, do ta ngre zërin për të gjithë ata që janë në nevojë.

"Sa mund ta dojë një fëmijë Kosovën, kur vazhdimisht e dëgjon prindin e vet duke thënë që nuk jetohet në këtë vend? Sa i/e inspiruar do të ishte ai/ajo që të arrijë diçka në jetën e tij/saj? Dëshira për mos të lejuar që kjo të vazhdoj të ndodh tek fëmija im dhe të gjithë fëmijët e tjerë kosovar, ka qenë arsyeja dominuese që më shtyu të inkuadrohem në politikë dhe të kandidohem për deputete", është shprehur ajo.

Tërnava-Beka ka zbuluar se cila do të jetë çështja e parë që do ta adresojë në Kuvend, nëse bëhet deputete.

"Si nënë, do të mundohem të jemi zëri i të gjithë fëmijëve kosovar. Unë synoj që të inicioj projekte që lidhin fëmijët me aktivitete që iu mundësojnë atyre të mendojnë, analizojnë dhe diskutojnë problemet, mundësitë dhe qëllimet në jetën e tyre. Përmes këtyre projekteve, ne synojmë që të sigurojmë një ambient të kënaqshëm për fëmijët tanë ashtu që ata të arrijnë potencialin e tyre më të lartë", ka thënë ajo.

Tërnava-Beka ka thënë synim i përgjithshëm i saj është ta bëjë vendin më të mirë. "Siç ka thënë John F. Kennedy, 'mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por çfarë mund të bësh ti për vendin tënd', kështu që, është obligimi ynë patriotik, fetar dhe moral që të bëjmë vendin tonë më të mirë", është shprehur ajo.

"Do të bëj çmos që t’i përfaqësoj vlerat familjare dhe ato shoqërore që kombi jonë ka. Do të mundohem të jemi zëri i të gjithë të prekurve nga padrejtësitë që po shkaktohen në Kosovë. Punën time si deputete do e bëjë me devotshmërinë më të madhe; suksesi është diçka mbi të cilën nuk kemi ne kontroll direkt", ka thënë Tërnava-Beka.