Osmani në Rahovec: Partneriteti me SHBA-në mbetet interes jetik për Kosovën

Osmani në Rahovec: Partneriteti me SHBA-në mbetet interes jetik për Kosovën

Zgjedhjet 2026 June 01, 2026 - 17:59

Kandidatja për presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, në tubimin zgjedhor në Rahovec ka folur për historinë, rrënjët e shtetit të Kosovës, sakrificën e popullit dhe vizionin e saj për të ardhmen e vendit, duke vënë theks të veçantë në partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe orientimin euroatlantik të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ajo e ka përshkruar Rahovecin si vend me rëndësi historike dhe simbol të punës e sakrificës.

“Në qoftë se flasim për rrënjët, ajo që dihet mirëfilli e që në fakt e dinë edhe njerëzit shumë përtej Kosovës e shumë përtej trojeve shqiptare, është që Rahoveci ka qenë gjithmonë Dardani. Pjesë e Dardanisë antike, dhe pikërisht këtu, pikërisht në këtë territor të Dardanisë antike, kanë filluar vreshtaritë për herë të parë. Dhe prej atëherë, vazhdon kjo traditë në këtë tokë të njerëzve punëtorë, në qytetin e hardhisë dhe verës, në qytetin që e njeh vlerën e mundit dhe që e di se asgjë e madhe në jetë — e aq më pak në politikë, nuk ndërtohet pa sakrificë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka përkujtuar edhe të rënët për lirinë e Kosovës, duke theksuar se sakrifica e tyre është themel i shtetit.

“Më lejoni që sot para jush, edhe njëherë, t’i nderojmë gjithë ata martirë e dëshmorë që i dha Rahoveci. Nuk ka ditë, nuk ka ditë përgjatë muajve të pranverës që ne nuk përkujtojmë një masakër diku në Rahovec. Dhe kjo sakrificë e martirëve dhe dëshmorëve tanë i ka vendosur themelet jo vetëm të forta, por edhe të shenjta për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Osmani ka folur edhe për tri shtyllat që, sipas saj, kanë ndërtuar shtetin e Kosovës: sakrificën, rugovizmin dhe aleancën ndërkombëtare.

“Shtylla e dytë ka qenë dhe mbetet rugovizmi, sepse mbi postulatet e shenjt liri, pavarësi dhe demokraci, presidenti ynë historik arriti ta bashkojë gjithë popullin e Kosovës rreth kësaj kauze. Dhe nëpërmjet punës së tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, ne arritëm edhe shtyllën e tretë: aleanca, miq të cilët na qëndruan pranë në ditët më të errëta të historisë sonë”, ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet jetik për Kosovën.

“Këto rrënjë e këto shtylla të shtetit tonë e dëshmojnë se raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet interes jetik shtetëror. Amerika ishte pranë nesh kur kishim më së shumti nevojë, Amerika është pranë nesh edhe sot, dhe Amerika do të jetë partneri ynë strategjik e i përhershëm”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka folur për vizionin e saj për Kosovën në të ardhmen.

“Ky është vizioni im: një Kosovë e fortë brenda dhe një Kosovë e respektuar jashtë, një Kosovë që ruan miqtë e saj dhe krijon partneritete të reja”, ka shtuar Osmani.