Hasani: Mospjesëmarrja e partive serbe në zgjedhje dëmton serbët e veriut

Hasani: Mospjesëmarrja e partive serbe në zgjedhje dëmton serbët e veriut

Aktuale April 18, 2019 - 16:19
Lexoni detajet!

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Qeverisje Lokale, Nait Hasani, duke u bërë thirrje partive politike serbe që të aplikojnë për pjesëmarrje në zgjedhje ka thënë se me mospjesëmarrjen e tyre dëmtohen vetëm serbët e Kosovës dhe askush tjetër.

"Mospjesëmarrja e partive politike në zgjedhjet e veriut i dëmton serbët dhe askënd tjetër, prandaj kërkesa jonë është që ata të marrin pjesë, të japin kontributin për qytetarët serbë që jetojnë në atë pjesë të vendit. Besoj që deri të enjten do të aplikojnë, nëse jo është zgjedhje e tyre. Mirëpo bojkotimi vetëm do t’i dëmtojë ata dhe do të ketë pasoja për serbët, asgjë më shumë”, ka thënë ai për "Zërin".

Ndërsa Fatmir Sheholli, drejtor i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike (IAMN), duke folur për “Zërin” ka theksuar se me vonesat për aplikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e veriut Lista Serbe po sigurohet nëse do të ketë përballë ndonjë parti tjetër dhe se me këto veprime ajo po mundohet të ndjellë frikë te personat që nuk janë pjesë e këtij subjekti politik dhe te partitë tjera serbe.

“Lista Serbe kalkulon duke shikuar se cila parti serbe do të aplikojë për pjesëmarrje në zgjedhje. Këto kalkulime rrjedhin nga Beogradi me qëllim që të shohin se cilat parti politike dhe cilët individë kanë guximin që t’i dalin përballë Listës Serbe, ky është qëllimi pse nuk po aplikojnë deri në momentin e fundit. Kjo është edhe një ndjellje e frikës ndaj çdokujt tjetër i cili nuk është në Listën Serbe. Mirëpo pritet që të enjten Lista Serbe të aplikojë, por nuk dihet se cilat prej partive tjera serbe do të guxojnë t’i dalin përballë Listës Serbe”, ka thënë Sheholli.

Ndërsa analisti politik Riza Smaka ka thënë për “Zërin” se deri në momentin e fundit ekziston rreziku i bojkotimit të zgjedhjeve nga ana e partive serbe, mirëpo ai shtoi se nëse edhe të enjten nuk do të ketë aplikim për zgjedhje nga këto parti, atëherë ka mundësi që KQZ-ja të japë afat shtesë.

“Meqë të enjten është afati i fundit për aplikim, është herët të flitet nëse partitë serbe do të aplikojnë ose do ta bojkotojnë këtë proces, sepse deri në momentin e fundit mundësitë janë të dyfishta. Por besoj që edhe pse nuk ka bazament legal, ka mundësi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta shtyjë aplikimin”, ka thënë Smaka./ZERI