Shqiptarët e Mitrovicës së Veriut kërkojnë nga BE-ja ta hapë urën
FOTO: Laura Hasani

Shqiptarët e Mitrovicës së Veriut kërkojnë nga BE-ja ta hapë urën

Aktuale May 10, 2019 - 07:53
Lexoni detajet
Image

Shqiptarët e Mitrovicës së Veriut kanë kërkuar revitalizimin e urës së Ibrit dhe të rrugës “Mbreti Petër I” përtej urës, për të cilin projekt janë investuar mbi 3 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Bashkim Cimili, zëvendëskryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, i tha “Zërit” se punët në revitalizimin e urës dhe të zonës së këmbësorëve në pjesën veriore teknikisht kanë përfunduar dhe se nuk ka më asnjë pengesë që ura të lëshohet për qarkullim të automjeteve dhe të lëvizjes së njerëzve.

LEXO EDHE: Tri opsionet e rrezikshme për Kosovën

“Mbajtja mbyllur e urës për qarkullim të automjeteve është pengesë e madhe për lëvizje të lirë të qytetarëve nga pjesa jugore në veri dhe anasjelltas. Punët kanë përfunduar dhe tashmë nuk ka asnjë problem që ajo të hapet. Që në fillim të vitit 2017 Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, në prani edhe të përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane dhe të Zyrës së BE-së në Prishtinë kanë bërë një marrëveshje për hapjen e urës, e cila është përkrahur unanimisht edhe në seancën e Kuvendit të Mitrovicës së Veriut më 4 shkurt 2017. Të gjithë asamblistët, shqiptarë e serbë, e kanë përkrahur marrëveshjen, por prej atëherë asgjë nuk ka lëvizur dhe për pasojë ura akoma mbahet e mbyllur”, i ka thënë “Zërit” Cimili.

Në anën tjetër disa herë ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, madje edhe në prani të përfaqësues së lartë të BE-së Frederika Mogherini, e cila pati ardhur në Mitrovicë për t’i përcjellë punimet, ka thënë se ura do të hapet atëherë kur kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri të nënshkruajë memorandumin për definimin e kufirit në mes të dyja komunave të Mitrovicës, në atë mënyrë që katër fshatra të cilat aktualisht i takojnë Mitrovicës së Jugut: Vinarc, Gushafc, Suhadoll dhe Vidimiriq, t’i kalojnë në administrim Mitrovicës së Veriut, si dhe e gjithë rrjedha e lumit Ibër, një gjë që kryetari Bahtiri nuk e ka pranuar.

Në ndërkohë Goran Rakiq ka rikandiduar për kryetar të Mitrovicës së Veriut, përderisa shqiptarët e lagjeve veriore të Mitrovicës shprehen skeptikë se Rakiq nëse eventualisht rizgjidhet kryetar ta nënshkruajë memorandumin për definimin e kufirit.

Agim Bahtiri, kryetar i pjesës jugore të Mitrovicës, i cili këmbëngul se Mitrovica do të bashkohet, thotë se sa i përket definimit të kufirit nuk do të dialogojë me askënd.

“Sa u përket kufijve administrativë, çdo gjë është e qartë dhe nuk do të ketë dialog rreth kësaj çështjeje. Nuk besoj se ka probleme politike për t’u hapur ura, nuk ka as probleme tjera, ndërsa sa i përket definimit të kufirit të Mitrovicës asnjë centimetër nuk mundë ta marrë veriu. Absolut jo, sepse vendimmarrja e lartë në Prishtinë është pajtuar me mendimin tim dhe si e tillë ka përfunduar dialogu në mes të këtyre dy gjërave, urës dhe kufirit administrativ. Nuk dëshiroj as të ketë dialog për këtë çështje”, ka ripërsëritur shumë herë kryetari Bahtiri, i cili së fundi ka dalë me idenë e tij për bashkimin e Mitrovicës. Ideja e tij është miratuar në Kuvendin e Mitrovicës, ndërsa është nënshkruar edhe një peticion nga më shumë se 16 mijë qytetarë, në mesin e të cilëve edhe serbë, për bashkimin e qytetit të Mitrovicës, i cili, siç ka thënë kryetari Bahtiri, “duhet të jetësohet sa më shpejt”.

“Peticioni është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës dhe tutje në Kuvendin e Kosovës. Peticioni dhe vendimi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut për bashkimin e qytetit të Mitrovicës duhet të miratohen në Kuvendin e Kosovës. Mitrovica është e pandashme, do të ketë vetëm një Mitrovicë dhe unë do të jem kryetar i saj”, ka deklaruar Bahtiri menjëherë pas dorëzimit të peticionit në Kuvendin e Kosovës.

Bashkimi Evropian ka investuar 3.1 milionë euro për dy projekte në Mitrovicë, revitalizimin e urës dhe revitalizimin e rrugës “Mbreti Petër I” për ndërtimin e zonës së këmbësorëve. 1.045 milionë euro BE-ja i ka dhënë për revitalizimin e urës, ndërsa 2.1 milionë euro për revitalizimin e rrugës “Mbreti Petër I”.