Kuvendi nesër mbanë seancë në përkujtim të 20 vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës

Kuvendi nesër mbanë seancë në përkujtim të 20 vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës

Aktuale May 20, 2019 - 16:38
Detajet

Nesër bëhen 20 vjet nga Masakra në Burgun e Dubravës.

Për këtë 20 vjetor Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të veçantë në përkujtim të kësaj masakre.

Seanca do të mbahet në orën 11:00.

Ndërsa në një status në llogarinë e tij në Facebook ditë më parë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar se edhe pas 20 viteve ende askush nga urdhëruesit dhe ekzekutuesit e këtyre krimeve me motive gjenocidi nuk doli para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare.

“Para 20 viteve, në burgun e Dubravës filloi njëra nga masakrat më mizore mbi të burgosurit shqiptarë, e kryer nga forcat policore serbe për disa ditë me radhë. Vrasja e 160 të burgosurve dhe plagosja e mbi 300 prej tyre, tregon më së miri natyrën gjenocidale të shtetit të Serbisë, që kreu mbi 400 masakra, vrau mbi 13 mijë civilë vetëm në vitet 1998-1999. Në mesin e të burgosurve që pësuan në ditën e parë ishin edhe veprimtarët Enver Topalli dhe Abdullah Tahiri. Edhe pas 20 viteve, fatkeqësisht ende askush nga urdhëruesit dhe ekzekutuesit e këtyre krimeve me motive gjenocidi nuk doli para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare”, ka shkruar Thaçi.