Zgjedhjet, në shtator
Foto: Laura Hasani

Zgjedhjet, në shtator

Aktuale July 22, 2019 - 07:39
Lexo Detajet
Image

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës pothuajse të gjitha partitë politike, si nga koalicioni qeverisës, edhe ato të opozitës, kanë kërkuar shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Për shkak të mungesës së konsensusit për një kandidat të ri të përbashkët nga ana e PAN-it, njohësit e çështjeve politike theksojnë se vendi mund të përballet me zgjedhje në shtator të këtij viti, shkruan sot gazeta Zëri.

LEXO EDHE:  'Dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë me njohje reciproke'

Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj vendi do të përballet me zgjedhje të parakohshme, kjo për shkak se brenda koalicionit qeverisës PAN ende nuk janë bërë përpjekje për arritjen e një konsensusi për të shpallur një kandidat të përbashkët për kryeministër të ri të Kosovës. Menjëherë pas dorëheqjes Haradinaj ka theksuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe për qeverinë e re duhet të vendosë populli. Me idenë për zgjedhje të reja janë pajtuar të gjitha partitë opozitare, por edhe parti brenda PAN-it. Mirëpo për PDK-në ende nuk po shihen zgjedhjet si zgjidhje. Nga kjo parti kanë pohuar për “Zërin” se do të pajtohen me vendimet që do të vijnë nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit. Njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se për shkak të mosunitetit për një kandidat të ri nga ana e PAN-it zgjedhjet janë të prira të mbahen jo më larg se në fund të këtij viti. Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse kryeministri jep dorëheqjen, presidenti në konsultim me koalicionin që ka marrë shumicën e votave mund të mandatojë kandidatin e ri për të formuar Qeverinë, i cili duhet të zgjidhet me shumicë votash në Kuvend.Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë dhe nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Koalicioni, pa konsensus për kryeministër të ri nga PAN-i

Pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj koalicioni PAN mund të shfrytëzojë mundësinë e tij për të kërkuar nga presidenti i vendit që të vazhdohet qeverisja, por me një kryeministër të ri. Mirëpo një gjë e tillë nuk po duket e pritshme për shkak të mungesës së konsensusit brenda PAN-it. Ditën e dorëheqjes kryeministri Haradinaj është shprehur se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, njësoj kanë reaguar edhe nga partia e tij.

Deputeti Rasim Selmanaj, duke mos pohuar se ka pasur përpjekje që të arrihet unitet për një kryeministër të ri, theksoi se në rrethanat aktuale zgjedhjet janë të pashmangshme.

“Në fakt, ideja për një kryeministër të ri mund të ekzistojë, por nga gjendja faktike, tash pas dorëheqjes së kryeministrit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe populli të vendoset për qeverinë e ardhshme. Aktualisht nuk ka pasur përpjekje për të arritur një konsensus për kryeministër ose për qeveri të re, në këto rrethana nuk ka zgjidhje tjetër përpos zgjedhjeve të lira”, ka thënë Selamanaj për gazetën “Zëri”.

Gjithashtu edhe Nisma Socialdemokrate është shprehur e gatshme për shkuarje në zgjedhje pas vendimit të Haradinajt. Mirëpo për Partinë Demokratike të Kosovës aktualisht është e rëndësishme ajo që do të vendosë presidenti Thaçi në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi. “Presidenti e ka në dorë situatën në bazë të Kushtetutës se cilin variant do ta zgjedhë pas dorëheqjes së kryeministrit. Unë mendoj se ai e ka në dorë që t’ia japë prapë mandatin një përfaqësuesi të koalicionit në qoftë se koalicioni kërkon që të vazhdohet qeverisja. Presidenti ka të drejtë ta emërojë edhe një kandidaturë të dytë. Nëse nuk bëhet kjo, atëherë presidenti e ka në dorë që t'i thërrasë partitë politike, të konsultohet me ta dhe në përputhje me konstatimet që ka ai mund ta marrë vendimin edhe për shpalljen e zgjedhjeve të reja”, ka shtuar Haliti.

Opozita numëron arsyet pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje

Partitë opozitare menjëherë pas vendimit të Ramush Haradinajt për të dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit kanë kërkuar shkuarjen në zgjedhje të reja. Si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, edhe Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. Madje lideri i saj, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka numëruar disa arsye se pse presidenti i vendit duhet t’i shpallë zgjedhjet menjëherë. Sipas Kurtit, Kuvendi i Kosovës i është nënshtruar një deformimi të dyfishtë të vullnetit të qytetarëve pas zgjedhjeve të 11 qershorit të vitit 2017, duke përmendur kalimin e AKR-së nga koalicioni LAA te PAN-i dhe largimin e deputetëve të Vetëvendosjes te Partia Socialdemokrate. Më tutje ndër arsyet Kurti përmend edhe deklarimet e partive politike se pas dorëheqjes së Haradinajt janë të gatshme për zgjedhje, kësisoj ai thekson se me arsyet e lartpërmendura nëse presidenti Thaçi nuk vendos në favor të zgjedhjeve, atëherë do të dëmtohet interesi i qytetarëve. “Në këto rrethana duhet shpërndarë Kuvendi. Kjo qeveri që kishim s’rrinte dot në këmbë. Ky Kuvend që kemi s’mund të mëkëmbë qeveri. Efektivisht Neni 82, pika 2, i rri situatës së krijuar. Çfarëdo që bën presidenti, kjo nuk është për datë të zgjedhjeve të reja, vetëm sa e zvarrit procesin, duke e dëmtuar shtetin e Kosovës dhe interesin e qytetarëve”, ka deklaruar ai.

Tahiri: Zgjedhjet, në pjesën e dytë të vitit

Analisti politik Ramush Tahiri ka thënë për gazetën se në rast të mungesës së konsensusit për një kryeministër të ri nga ana e liderëve të PAN-it presidenti i vendit jo më vonë se 45 ditë duhet t'i shpallë zgjedhjet e reja. “Ramush Haradinaj si kryeministër, por edhe si kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është pjesë e PAN-it, ka kërkuar zgjedhje, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje, sepse nëse brenda PAN-it nuk pajtohen të gjitha partitë politike që të vendosin një kandidat të ri, këtë gjë nuk mund ta bëjnë ndaras dhe pa pëlqimin e të gjithave. Në gjendjen në të cilën jemi presidenti e ka situatën në dorë, nëse PAN-i nuk ka kandidat, atëherë Thaçi duhet t'i shpallë zgjedhjet e reja”, ka thënë ai, për zërin. Në rrethanat aktuale Tahiri konsideron se partnerët e koalicionit nuk kanë dakordim mes vete për një kryeministër të ri, kësisoj sipas tij deri në fund të vitit do të mbahen zgjedhjet e reja.. ZERI