Kalkulimet e partive, koalicionet parazgjedhore dhe vijat e kuqe
Foto: Arkiva

Kalkulimet e partive, koalicionet parazgjedhore dhe vijat e kuqe

Aktuale July 23, 2019 - 07:39
Lexo Detajet
Image

Partitë politike në Kosovë kanë nisur të bëhen gati për zgjedhje të reja. Sikurse opozita, ashtu edhe subjektet që janë në pushtet kanë nisur t’i bëjnë kalkulimet e tyre për koalicione parazgjedhore. Disa prej subjekteve tashmë kanë vendosur edhe vijat e kuqe sa u përket koalicioneve, shkruan sot gazeta Zëri.

Menjëherë pasi lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, partitë politike kanë nisur të përgatiten për zgjedhje të parakohshme. Në këtë drejtim subjektet politike kanë filluar diskutimet e brendshme për koalicionet e mundshme parazgjedhore. Disa prej tyre tashmë kanë vendosur edhe vijat e kuqe, duke eliminuar çdo mundësi gare me disa prej partive që aktualisht janë pjesë e pushtetit. Derisa PSD-ja ka vendosur vijë të kuqe për PDK-në, LVV-ja, pos PDK-së, vijë të kuqe i ka vënë edhe AAK-së e Nismës. 

LEXO EDHE : Koalicioni, pa konsensus për kryeministër të ri nga PAN-i

Kalkulimet e partive kanë filluar ende pa u dhënë drita jeshile për zgjedhjet. Por para se të shkohet tek opsioni i zgjedhjeve Kushtetuta e jep edhe një mundësi tjetër për të dalë nga situata e tanishme. 

Në rast se kryeministri jep dorëheqje, sipas Nenit 95 të Kushtetutës, presidenti i Kosovës, në konsultim me partitë politike ose me koalicionin që ka fituar shumicën, duhet ta mandatojë kandidatin e ri për ta formuar Qeverinë. Por sipas opozitës dhe shoqërisë civile ky hap i kreut të shtetit duhet të kryhet vetëm proceduralisht, në mënyrë që sa më shpejt të caktohet data e zgjedhjeve të reja. Por presidenti Hashim Thaçi ende nuk ka treguar se si dhe kur do të veprojë, ndonëse ka siguruar qytetarët se veprimet e tij do të jenë të bazuara në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore.

PDK-ja dhe AAK-ja, të bindura për fitore

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë dje se partia që ai drejton është e gatshme të ballafaqohet me procesin zgjedhor. Ndonëse ende nuk është caktuar ndonjë datë për zgjedhje të reja, Veseli është shprehur i bindur se PDK-ja do të dalë fituese në garën e ardhshme.

“PDK-ja hyn në zgjedhje me qëllimin e qartë, për të fituar në këtë proces dhe për t’i dhënë vendit një qeveri me legjitimitet të plotë qytetar e me vizion të qartë për të ardhmen euroatlantike”, ka potencuar Veseli. Zyrtarët e PDK-së vazhdimisht edhe në zgjedhjet e kaluara kanë pohuar se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti politike sa u përket koalicioneve.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka konsideruar se presidenti nuk duhet të mundohet që ta caktojë mandatarin e ri, porse duhet të shkohet sa më parë në zgjedhje të parakohshme. Ai më tej ka thënë se AAK-ja dëshiron të shkojë e vetme në zgjedhje, porse nuk ka përjashtuar mundësinë e ndonjë koalicioni të mundshëm, varësisht prej situatës së krijuar.

“Fillimisht jemi që të shkojmë si AAK në zgjedhje, por kjo varet edhe nga komunikimi me partitë e tjera politike. Ne kemi theksuar edhe më herët që nuk kemi vija të kuqe ndaj partive, por kjo do të varet nga komunikimi”, ka theksuar shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së për “Zërin”, teksa është shprehur i bindur se AAK-ja do të dalë partia më e votuar në zgjedhje.

Nisma: Do të garojmë të vetëm në zgjedhje

Edhe Nisma Socialdemokrate, sikurse partitë e tjera, ka konsideruar se vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

“Nisma Socialdemokrate tashmë e ka qëndrimin e saj, të cilin e ka dhënë kryetari i partisë Fatmir Limaj, që është nga momenti i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe duhet të respektohen të gjitha procedurat”, ka deklaruar Valdete Dushica-Bajrami, shefe e kabinetit të Fatmir Limajt.

Nisma Socialdemokrate sipas saj ka qenë dhe është e gatshme për procesin e zgjedhjeve, ndaj Dushica-Bajrami është shprehur e bindur se ky subjekt do të dalë më fuqishëm se kurrë nga zgjedhjet e reja. Ndonëse në zgjedhjet e fundit ka garuar në koalicion, ish-deputetja e Nismës ka thënë se ky subjekt këtë herë do të garojë i vetëm.

LDK-ja dhe LVV-ja nuk i përjashtojnë koalicionet

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se nuk ka asnjë kuptim që në pushtet të vijë një qeveri jolegjitime, tash pas dorëheqjes së kryeministrit të deritanishëm Ramush Haradinaj. Çdo formulë tjetër që del jashtë zgjedhjeve sipas Selmanajt për LDK-në është e pakuptimtë.

“Ne tashmë veçse jemi në përgatitje për datën e zgjedhjeve, për zgjedhje të ardhshme. Matematikat e tjera për neve nuk janë në agjendë fare”, ka potencuar ai. Teksa ka folur rreth asaj se si LDK-ja do të garojë në zgjedhje, Selmanaj nuk ka përjashtuar mundësinë që të shkohet në koalicion.

“Jemi në fazën e konsultave, do të vazhdojmë me konsultat, pastaj do të vendosim në kohën e duhur për mundësitë, ose shkojmë me koalicion, ose garojmë si të vetëm”, është shprehur deputeti i LDK-së. I pyetur nëse LDK-ja ka vija të kuqe për ndonjë parti sa u përket koalicioneve, duke mos pohuar e as mohuar, Selmanaj ka thënë se ky subjekt akoma është në etapën e konsultave të brendshme.

Ndërkohë deputeti i LVV-së, Ismajl Kurteshi, ka thënë se nuk mund të flitet ende saktësisht se si do të garojë LVV-ja në zgjedhjet e ardhshme, si subjekt i vetëm ose në ndonjë koalicion. Për një gjë të tillë sipas tij vendos këshilli drejtues. I pyetur nëse do të ketë koalicion me LDK-në, Kurteshi ka thënë se as në zgjedhjet e kaluara nuk ka qenë interesimi që koalicioni me LDK-në të ndodhë para zgjedhjeve, porse nuk ka përjashtuar mundësinë që një gjë e tillë të ndodhë pas zgjedhjeve.“Por natyrisht që jemi të interesuar që pas zgjedhjeve të kemi koalicion me një subjekt i cili nuk ka qenë pjesë e kësaj qeverie”, ka theksuar ai.

Vijat e kuqe për PDK-në, AAK-në dhe Nismën

Teksa ka folur për vijat e kuqe që ka LVV-ja, Ismajl Kurteshi ka thënë se partitë që aktualisht janë në pushtet nuk duhet pranuar koalicion me LVV-në. “Subjektet të cilat tanimë po përshëndeten me pushtetin janë përgjegjëse për shumëçka që ka ndodhur në Kosovë. Për ta ndryshuar formën e qeverisjes këto subjekte nuk do të duhej të ishin në koalicionin e ardhshëm qeverisës”, ka theksuar Kurteshi.

Ndërkohë nënkryetarja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka thënë se PSD-ja do t’i shikojë mundësitë që të garojë me ndonjë partneritet të mundshëm ose jo, ndonëse një gjë e tillë nuk është vendosur akoma.

“Ky është një vendim që duhet ta marrin strukturat e partisë dhe ne gjatë kësaj jave do të kemi takime intensive edhe brenda strukturave. Por besoj që do t’i shohim mundësitë edhe për ndonjë partneritet të mundshëm me subjektet me të cilat mund të garojmë bashkë ose jo, por nëse do të shkojmë si të vetëm ose me koalicion me ndonjë subjekt tjetër është një vendim që e marrin strukturat”, ka nënvizuar ajo, teksa ka shtuar se PSD-ja ka vijë të kuqe vetëm për PDK-në.

Ismaili: Zgjedhjet, rrugëdalja e vetme

Edhe pse në teori ekziston opsioni që vendi të mos shkojë në zgjedhje, duke parë disponimin e shumicës së partive për zgjedhje, sipas Valmir Ismailit, drejtor ekzekutiv në organizatën “Demokraci Plus”, ato duken të pashmangshme.

“Në këtë aspekt presidenti i vendit do të duhej që proceduralisht të ofronte opsionin e krijimit të një qeverie të re, por në praktikë energjia do të duhej të fokusohej në gjetjen e një date të përshtatshme të mbajtjes së zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese dhe në bashkëpunim me të gjitha subjektet politike”, ka deklaruar ai.

Çdo orvatje tjetër, ndonëse mund të jetë ligjore dhe kushtetuese, sipas tij vetëm do të ndikonte në humbje të kohës, por jo në ndonjë rezultat. Kjo pasi sipas Ismailit në rrethanat aktuale zgjedhjet janë rrugëdalja e vetme. Sa u përket koalicioneve, Ismaili ka thënë se as këtë herë nuk mund të përjashtohet mundësia që partitë politike të dalin me koalicione të befasishme para zgjedhjeve.

“Skena politike kosovare është e atillë që gjithmonë të ofron befasi. Kjo është dëshmuar edhe në mënyrën se si është krijuar Qeveria aktuale, por edhe mënyra se si po bie kjo Qeveri. Prandaj, nuk e përjashtoj mundësinë që edhe tash të kemi raste kur subjektet politike do të krijojnë koalicione të panatyrshme dhe të pamenduara mirë”, ka potencuar ai. /ZERI