A do të bashkohen me Haradinajn edhe AKR-ja e Nisma? Ja çka thonë nga të dy taborret

A do të bashkohen me Haradinajn edhe AKR-ja e Nisma? Ja çka thonë nga të dy taborret

Aktuale August 19, 2019 - 18:16
Detajet

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e Ramush Haradinajt sot ka lidhur koalicion parazgjedhor me Partinë Socialdemokrate, të Shpend Ahmetit.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Haradinaj tha se deri te koalicioni erdhi pasi që u panë qëllimet në programet e të dy partive, para zgjedhjeve.

Tutje, Haradinaj bëri të ditur se AAK është e hapur për bashkëpunim edhe me disa parti, si Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re.

Mirëpo, Nisma e Fatmir Limajt, nuk duket edhe aq e ‘nxehtë’ për një koalicion parazgjedhor.

Bilall Sherifi nga kjo parti i ka thënë lajmi.net se Nisma është duke punuar që në zgjedhje të dal e vetme.

“Aktualisht jemi në fazën e konsultave me strukturat e partisë. Pas përfundimit të konsultimeve me strukturat tona, atëherë do të mund të dalim me një vendim përfundimtar. Unë personalit angazhohem që Nisma të dal e vetme në këto zgjedhje”, ka thënë Sherifi.

Ai ka shtuar se vendimi përfundimtar i takon strukturave drejtuese.

Ndërsa në AKR thonë se të gjitha ofertat i shqyrtojnë në strukturat e partisë.

Vesel Makolli nga kjo parti, ka thënë për lajmi.net se AKR është e interesuar të shkojë në koalicion me dikë që ka në program zhvillimin ekonomik të vendit.

“Çdo ofertë do ta shqyrtojmë në strukturat tona të partisë, por ne së pari i shqyrtojmë ato mundësitë tona dhe  simetrinë e programeve. Ne do të shkojmë më atë që ka programin ma të mirë, ne jemi për zhvillim ekonomik, ju e dini se pa zhvillim ekonomik Kosova nuk mund të shkojë përpara, interesi i vendit duhet të jetë në rend të parë”, ka thënë Makolli.

Vlen të theksohet se Nisma Socialdemokrate në zgjedhjet e kaluara ishte në koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, më pas këtij koalicioni iu bashkua edhe Aleanca Kosova e Re.