Kosova po zbrazet heshtas

Kosova po zbrazet heshtas

Aktuale August 21, 2019 - 08:05
Lexoni detajet
Image

Edhe gjatë këtij viti vlerësohet se qytetarë të shumtë kanë lëshuar Kosovën, duke kërkuar një jetë më të mirë në shtetet e Bashkimit Evropian. Derisa numri i atyre që po ikin jashtë vendit vlerësohet të jetë i madh, në Kosovë nuk ka ndonjë statistikë të saktë për këtë numër, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kosova po vazhdon të zbrazet edhe më tej nga qytetarët e saj, të cilët po kërkojnë një jetë më të mirë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Derisa viteve të kaluara ka pasur ikje masive nga vendi, vlerësohet se trendi i ikjeve është i njëjtë edhe gjatë këtij viti, por që tashmë këto ikje po mbahen të fshehta, shkruan më tutje Gazeta 'Zëri''. 

LEXO EDHE: Para zgjedhjeve partitë bojkotojnë PDK-në

Sipas Zyrës së Statistikave Evropiane (EUROSTAT), që nga viti 2008 e deri në vitin 2018 rreth 203 mijë e 330 qytetarë kanë ikur nga Kosova dhe shumë prej tyre kanë bërë kërkesë për azil në Bashkimin Evropian.

Ia vlen të ceket se këtyre të dhënave nuk u është shtuar numri i qytetarëve të Kosovës që kanë migruar në BE përmes rrugëve tjera ligjore.

Derisa thuhet se edhe gjatë këtij viti një numër i madh i qytetarëve ka marrë rrugën drejt shteteve të BE-së, në Kosovë nuk ekzistojnë të dhëna të sakta se sa persona kanë lëshuar vendin gjithsej.

“Zëri” ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme informata për numrin e personave që janë larguar nga Kosova, por që nuk ka marrë përgjigje nga ta.

Gazeta ka kontaktuar edhe zëvendësministrin në këtë ministri Isa Xhemajlajn, i cili e ka konfirmuar se as gjatë këtij viti nuk janë ndalur ikjet e qytetarëve jashtë vendit, megjithatë ai ka thënë se qytetarët nuk e kanë të obliguar të lajmërohen në Ministri sa u përket vizave të punës që marrin nga shtetet tjera.

Përndryshe, sipas tij, Gjermania mbetet shteti më i preferuar për qytetarët e Kosovës.

“Nuk është ndonjë ikje masive, por as nuk është një ndalje e tyre, përafërsisht është e njëjta gjendje që ka qenë edhe vitin e kaluar. Nuk kemi pasur raste që ia vlen të theksohen për ikje ilegale, të tjerat janë me viza të punës, me rregullim të dokumentacioneve që njerëzit i bëjnë. Departamenti për Shtetësi dhe Azil e përcjell këtë çështje”, ka thënë ai.

Xhemajlaj ka deklaruar se ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Skender Reqica, i ka bërë disa projekte të mira për punësimin e të rinjve dhe përgatitjen e tyre për të punuar në Kosovë.

Millaku: Këto vite kemi pasur largim më të madh, por heshtazi

Çështja e largimit të qytetarëve nga Kosova tashmë disa herë është diskutuar edhe në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Anëtarja e këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për “Zërin” se largimi masiv i qytetarëve po vazhdon edhe më tej, por që tashmë po vazhdon heshtazi.

"Këtë shqetësim e kemi ngritur qysh moti, por Qeveria as që e ka marrë seriozisht këtë shqetësim. Për dallim nga viti 2015, kur kemi pasur një largim masiv, këto vite kemi pasur largim edhe më të madh, por ikja po bëhet heshtas. Largimi ende po vazhdon për fat të keq, politika e deritanishme e ka zhgënjyer secilin qytetar, korrupsioni e nepotizmi ka bërë që secilit që i është dhënë mundësia të largohet ka ikur”, ka thënë ajo.

Millaku ka thënë më tej se periudha e tashme është edhe më e keqe se ajo e viteve të ’90-ta, pasi që tashmë edhe qytetarët të cilët janë të punësuar po ikin drejt shteteve tjera.

“Kjo periudhë është edhe më e keqe se e viteve të ’90-ta, sepse atëherë janë larguar qytetarët nga armiku, kurse tani po largohen mbas 20 vjetësh në liri. Kjo duhet të analizohet. Këtë analizë e kemi bërë ne dhe na ka rezultuar se jo vetëm të papunët, por po largohen edhe ata të cilët janë duke punuar në sektorët privatë. Ka raste që edhe të punësuar në sektorët publikë po largohen, siç është rasti me mjekët, infermierët e shumë të tjerë. Mundësi e vetme për ta ndalur këtë trend të ikjes dhe për të krijuar mundësi të kthimit të shumicës që janë larguar do të ishin institucionet e përgjegjshme dhe një qeveri e cila e lufton krimin e korrupsionin”, ka shtuar ajo.

Rugova: Në dy vjetët e fundit janë vrarë shpresat e të rinjve

Edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka parë si shqetësuese ikjen e qytetarëve nga vendi.

Ai ka thënë për gazetën se në dy vjetët e fundit është vrarë shpresa e të rinjve në Kosovë.

“Ky është një shqetësim permanent jo vetëm i LDK-së, por edhe i mbarë qytetarëve të vendit, sepse në veçanti këto dy vjetët e fundit ka qenë një degradim politik, moral e institucional dhe një vrasje e shpresës, sidomos për të rinjtë e vendit. Është momenti i fundit i kthimit të shpresës së njerëzve. Si LDK mjaft e kemi ngritur zërin, kemi ngritur seanca të jashtëzakonshme e komisione hetimore për herë të parë në legjislaturat e fundit, që me të vërtetë ta ndalim një degradim të tillë”, ka theksuar ai.

Rugova ka deklaruar se me ardhjen e një qeverie të re në vend do të punohet për interesat e qytetarëve.

Papunësia, shkaku kryesor që të rinjtë po lëshojnë Kosovën

Papunësia e madhe vlerësohet të jetë edhe më tej arsyeja kryesore që po shtyn qytetarët të lëshojnë vendin.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka thënë për “Zërin” se qytetarët po ikin jashtë vendit për të siguruar një jetë më të mirë.

“Papunësia e madhe ka ndikuar në ikjen e madhe të qytetarëve të Kosovës dhe të rinjtë, pjesa më vitale e Kosovës, të bëjnë përpjekje për të dalë jashtë, për të siguruar një jetë më të mirë për vete dhe për familjet e tyre. Në këto rrethana askush nga qejfi nuk e lëshon vendin e tij. Kushtet e brendshme përcaktojnë numrin e atyre të cilët ose janë larguar, ose bëjnë përpjekje për t’u larguar e që do të largohen në të ardhmen”, ka theksuar ai.

Shala e ka vlerësuar si pozitive që tashmë qytetarët nuk po detyrohen përmes rrugëve ilegale të lëshojnë Kosovën, por që këtë po e bëjnë përmes vizave të punës.