
Tri problemet që po sjellin çnjohje të Kosovës
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ditë më parë ka deklaruar se së shpejti 10 shtete të botës mund ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës. Nga Ministria e Punëve të Jashtme e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, ndërsa ish-drejtues të diplomacisë kosovare e fajësojnë po këtë dikaster qeveritar për tërheqje dhe mossjellje të njohjeve të reja për Kosovën, shkruan gazeta "Zëri".
Ka një vit e gjysmë prejse Kosova nuk ka marrë njohje të re nga asnjë shtet i botës. Kosova është njohur nga 116 shtete, por disa prej tyre, më saktësisht 13 shtete kanë deklaruar se e kanë rishikuar vendimin për njohje dhe rrjedhimisht e kanë tërhequr atë.
Për njohësin e çështjeve ndërkombëtare Naim Rashiti duke folur për gazetën ka përmendur tri probleme kryesore, të cilat e kanë ngecur Kosovën të marrë njohje të reja e madje edhe të përballet me çnjohje nga disa shtete.
"Janë tri probleme që po i pengojnë këto çështje. E para është që konteksti ndërkombëtar po ndryshon në raport me 2008-n. Miqtë e Kosovës nuk e kanë peshën ndërkombëtare siç e kanë pasur më herët dhe kjo është dëshmuar në rastin e INTERPOL-it në vitin e kaluar. Çështja e dytë ka të bëjë me rritjen e rolit të Serbisë në kontekstin ndërkombëtar viteve të fundit. Dhe çështja e tretë është që politika e jashtme e Kosovës ka mbetur jashtë prioriteteve të çdo qeverie në Kosovë dhe si e tillë na ballafaqon me tërheqje të njohjeve ndërkombëtare", ka vlerësuar Rashiti.
Sipas tij, tërheqjet e njohjeve ndonëse nuk njihen si akte në të Drejtën Ndërkombëtare, ai theksoi se shkaktojnë imazh të keq të Kosovës dhe përderisa ekziston kjo mungesë e aleatëve të Kosovës në kontekstin ndërkombëtar, Kosova do të ketë vështirësi në marrjen e njohjeve të reja.