Lista Serbe, e mbështetur fuqishëm nga Vuçiqi

Lista Serbe, e mbështetur fuqishëm nga Vuçiqi

Aktuale shtator 11, 2019 - 10:21
Detajet

Lista Serbe, për shkak të shtrirjes së saj dominuese, pritet të triumfojë në zgjedhjet e 6 tetorit. Sipas njohësve të rrethanave politike, qytetarët serbë në Kosovë nuk kanë guxim të votojnë një parti tjetër, shkruan Gazeta 'Zëri'. 

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ditë më parë ka deklaruar se ky subjekt politik sërish do ta ketë mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar për këto zgjedhje.

“Me krenari dëshiroj të them se Lista Serbe edhe kësaj here do ta ketë mbështetjen e fuqishme të shtetit të Serbisë dhe të kryetarit të saj Aleksandar Vuçiq njëkohësisht, pavarësisht sulmeve jo nga partitë politike, por nga individë serbë, të cilët interesin personal e kanë mbi interesin nacional dhe të cilët, siç duket, shtetin e Serbisë nuk e kanë atdhe”, ka theksuar Rakiqi.

Ndërkaq Lideri i Partisë së Pavarur Liberale, Slobodan Petroviq, ka thënë se në programin e kësaj partie ka qenë dhe mbetet mbijetesa e bashkësisë serbe në këto hapësira, fuqizimi i kualitetit të jetës së njerëzve, siguria dhe fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet të gjithë popujve që jetojnë në Kosovë.

“Por ajo që është esenca dhe themeli, si dhe fundja arsyeja pse jemi futur në politikë tash e 14 vjet, është mbijetesa e bashkësisë sonë në këtë hapësirë, sepse ne dëshirojmë të mbetemi dhe jetojmë këtu së bashku me fqinjët tanë. Me ta dëshirojmë të ndajmë të mirën dhe të keqen dhe te ne këto gjëra janë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra”, ka thënë Petroviqi. /ZERI