5 pikat e opozitës për dalje nga kriza në Shqipëri, s’ka protesta para 18 tetorit

5 pikat e opozitës për dalje nga kriza në Shqipëri, s’ka protesta para 18 tetorit

Aktuale September 17, 2019 - 16:11
Detajet

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka deklaruar se platforma e opozitës për të dalë nga kriza përmban 5 pika dhe një marrëveshje me kushte me Ramën, jo si kryeministër, por si kryetar i PS-së.

I ftuar në Report Tv, aleati i Bashës ka zbuluar 5 shtyllat kryesore ku bazohet kjo platformë. Ndryshimet Kushtetuese, Reforma në Drejtësi, Reforma Zgjedhore, Dekriminalizimi i politikës dhe i institucioneve dhe “çlirimi” i mediave . Këto janë pikat me të cilat opozita do t’i prezantohet mazhorancës për të arritur një marrëveshje për daljen nga kriza, por me një kusht: Që të negociohen të gjitha pikat në bllok dhe jo të shkëputura nga njëra-tjetra.

Ai është ndalur të flasë edhe për aksionin opozitar, ku ka zbuluar se para datës 18 tetor, ditë në të cilën do të jepet vendimi për çeljen ose jo të negociatave me BE-në, nuk do të ketë protesta.

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka zbuluar se kur do të nisë aksioni opozitar.

“Basha e dha një sinjal nga Brukseli, deri në ditën e negociatave më 18 tetor nuk do të ketë protesta”, tha Shehi.

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka zbuluar në Report Tv 5 pikat e platformës së PD për daljen nga kriza dhe ai ka thënë se marrëveshja mund të arrihet jo vetëm për pika të caktuara, por për realizimin në bllok të tyre.

“Ka një platformë, mbi të cilin mund të negociohet. Disa ndryshime në rrafshin Kushtetues, t’i balancojmë këto institucione. E dyta, brenda sistemit të Drejtësisë. Ndryshimi për Kodin Zgjedhor. Kodit të vjetër i kaloi koha. Nuk është vetëm ky çelësi i artë që mund të zgjidhë krizën, por është vetëm një instrument. Ne jemi gati të negociojmë, por jo vetëm për këtë çështje, por të këtyre pikave në bllok. Dekriminalizimi i politikës dhe institucioneve, është një çështje tjetër dhe “çlirimi i mediave”. Kjo platformë të con në zgjedhje të parakohshme me qeveri tranzitore. Rama në marrëveshje jo si kryeministër, por si kryetar i PS-së”, tha Shehi.