Policia dhe Prokuroria dorëzohen para shoqëruesit të Daut Haradinajt që u kap me arsenal armësh pa leje

Policia dhe Prokuroria dorëzohen para shoqëruesit të Daut Haradinajt që u kap me arsenal armësh pa leje

Aktuale tetor 08, 2019 - 20:30

Hamëz Hamzaj, shoqëruesi i ish deputetit të AAK-së Daut Haradinajn, ka shpëtuar “pa therrë në këmbë”, përkundër se ishte kapur nga Policia e Kosovës me arsenal armësh.

Gazeta Sinjali ka marr vesh se dy prej tri armëve të konfiskuara prej tij ishin pa leje ndërsa njëra prej tyre i takonte ish deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj.

Ngjarja kishte ndodhur pasditen e djeshme, më 7 tetor, kur Hamëz Hamzaj ishte ndaluar në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, gjatë një kontrolli rutinor nga zyrtarët e policisë së Kosovës.

Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes, kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se Hamzaj ishte legjitimuar nga policia rreth orës 16:00 teksa ishte duke vozitur me veturën e tij të tipit Reno Clio. Ata kanë parë sesi i dyshuari, pas disa çastesh komunikimi me policinë, ka mbyllur dyert e veturës së tij dhe bëhej sikur bisedonte me dikë në telefon.

Sipas dëshmitarëve okularë, i dyshuari pasi nuk i është përgjigjur thirrjeve të policisë  për ta hapur derën e veturës, është përballur me ndërhyrjen e forcave të rendit, të cilat kanë arritur ta nxjerrin atë me forcë nga vetura.

Pas prangosjes së tij nga zyrtarët e policisë, në asistencë të tyre kanë ardhur edhe policë të tjerë, të cilët, sipas dëshmitarëve, gjatë kontrollit të veturës kanë nxjerrë dhe fotografuar së paku tri armë dhe një sasi të madhe fishekësh.

Gazeta Sinjali merr vesh se policia në vendin e ngjarjes ka sekuestruar dy revole të kalibrit 9mm dhe një armë të gjatë (skorpion) si dhe mbi 300 copë fishekë.  

Përkundër që ishte një ngjarje e pazakontë, Polica e Kosovës e ka mbajtur larg syrit të mediave dhe pa ndonjë arsye legjitime, nuk e ka paraqitur fare në raportin 24 orësh, ku zakonisht pasqyrohen edhe rastet më të lehta, siç është konfiskimi i një thike në ditën e njëjtë, në Fushë Kosovë.

Me qëllim që të marr informacione zyrtare lidhur me rastin, Gazeta Sinjali ka provuar  ta marr një përgjigje nga Policia e Kosovës. Pas interesimit tonë, Zyra për informim për rajonin e Prishtinës ka konfirmuar rastin.

“Dje rreth orës 15:30, gjatë një kontrolli rutinë në Magjistralen Prishtinë – Ferizaj, Njësia e Reagimit të Shpejte, ka ndaluar një automjet, ku ka gjetur dhe  konfiskuar tri armë. Lidhur me këtë rast është intervistuar personi i dyshuar dhe ndaj tij me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rast për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ka deklaruar Policia e Kosovës.

Burimet e Gazetës Sinjali thonë se për shkak të ndërhyrjeve të shumta nga niveli i lartë i Policisë, në konsultim me prokurorin kujdestar, i dyshuari është liruar pas intervistimit të tij.

Kujtojmë se për raste tejet të lehta siç ishte sekuestrimi i një revole me gas, prokuroria kishte kërkuar ndalim për së paku 48 orë. Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur me shoqëruesin e Daut Haradinajt, i cili u kap arsenal armësh pa leje.