Krasniqi: Tre skenarë të rrezikshëm për Kosovën në negociatat me Serbinë
Foto: Laura Hasani

Krasniqi: Tre skenarë të rrezikshëm për Kosovën në negociatat me Serbinë

Aktuale tetor 10, 2019 - 08:05
Lexo Detajet
Image

Korrigjimi i kufijve, autonomia e komunave serbe dhe izolimi i tërësishëm i Kosovës janë tri opsionet që e presin Kosovën në kuadër të bisedimeve me Serbinë.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Zërin” njohësi i çështjeve politike dhe njëkohësisht profesor universitar Milazim Krasniqi, i cili ka theksuar se Kosova duhet të zgjedhë opsionin që është më pak i keq se tjetri. Sipas Krasniqit, qeveria e re, e cila duhet të udhëhiqet nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, me të marrë mandatin do të gjendet përballë presioneve të mëdha ndërkombëtare për gjetjen e një epilogu të marrëveshjes finale me shtetin serb. Në anën tjetër Krasniqi ka folur edhe për rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, të cilat kanë qenë të pritshme, për shkak të situatës së krijuar në vend viteve të fundit.

Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës votuan për një qeveri të re, e cila nuk ka qenë pjesë e pushtetit më herët. Krasniqi ndër të tjera ka theksuar se lidhja e një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është lehtësisht e mundshme, por që LDK-ja nuk duhet të insistojë në karrigen e kryeministrit, pasi ajo i takon Albin Kurtit si fitues i zgjedhjeve.
 

Qytetarët - në kërkim të një shtegdaljeje nga situata kaotike në Kosovë

Zëri
: Z. Krasniqi, rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit ishin befasuese për disa arsye, ngase nxorën një parti opozitare si të parën dhe një parti tjetër, e cila ishte në pushtet për 12 vjet, e qitën në opozitë. Si i keni parë këto rezultate?

Krasniqi: Ky ndryshim në hierarkinë e skenës politike ka qenë i pritshëm për arsye se PDK-ja kishte një jetëgjatësi shumë të madhe në pushtet, që nga viti 2007, dhe si e tillë ajo realisht është konsumuar shumë edhe për shkak të mënyrës së qeverisjes, e cila ka qenë në përcjellje të problemeve e të aferave të ndryshme, por edhe për shkak të vet realitetit të vështirë politiko-shoqëror që po kalon Kosova, duke qenë një shtet i papërfunduar, i izoluar dhe me një shtet me një presion permanent, që vjen nga Serbia e nga Rusia, por edhe nga sponsorët e pavarësisë së Kosovës. Qeverisja e PDK-së është karakterizuar me përpjekjet për ta shtyrë përpara shtetndërtimin, por edhe nga gabimet evidente në qeverisje në këtë proces, kështu që kishte një tejngopje të qytetarëve me të. Në anën tjetër, edhe vetë opozita ishte shumë armiqësore ndaj PDK-së, duke shprehur paraprakisht që nuk do të pranonin të qeverisnin me të, veçmas LDK-ja dhe LVV-ja ashtu që u krijua një disponim e një frymë anti-PDK-së, që logjikisht dëshmonte se ajo do të ishte humbëse e zgjedhjeve. Në anën tjetër pakënaqësia e madhe e qytetarëve me gjendjen ekonomike, me gjendjen në përgjithësi ishte e tillë, saqë po kërkohej një shtegdalje dhe në këtë rast shtegdalja kërkohej te partia më e zëshme opozitare siç ishte LVV-ja, ashtu që edhe kjo po ashtu ishte e pritshme se do të fitonte, sepse ishte identifikuar me një zë të fortë e arrogant opozitar. Prandaj unë nuk kam qenë fare i habitur nga ky rezultat, përveçse pritshmëritë e mia kanë qenë se fituese e zgjedhjeve do të jetë LDK-ja, e cila në të gjitha sondazhet ka qenë e para, pas saj Vetëvendosja dhe më pastaj PDK-ja e treta.

Ashpërsia e Osmanit, gabimi strategjik i LDK-së

Zëri: Z. Krasniqi, ju keni qenë një ndër themeluesit e LDK-së. Sa besoni se LDK-ja e sotme është e njëjtë me LDK-në, e cila ishte nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës?

Krasniqi: Unë besoj se LDK-ja nuk është ajo e njëjta, ajo ka historinë e njëjtë, ka themeluesit e njëjtë, por normalisht ka ardhur deri te ndryshimi i gjeneratave, te ndryshimi i disa koncepteve, sepse ka ndryshuar në fakt edhe realiteti, në të cilin jetojmë. LDK-ja është themeluar në vitin e vështirë 1989, kur Kosova ka qenë nën okupim dhe kur aspiratat tona kanë qenë marrja e përgjegjësisë për orientimin e popullit në kushtet e okupimit dhe për ndërtimin e një vizioni, për një luftë politike që do të rezultonte me pavarësinë. Ndërsa në vitin 2019 në fakt është një gjendje komplet tjetër, është një shtet i proklamuar, ndonëse i papërfunduar, por i cili në shumë aspekte funksionon si shtet, pra është realitet tjetër. Në anën tjetër, te LDK-ja kemi jo vetëm ndërrim të gjeneratave, por ka në fakt edhe ndërrim prej postulateve themelore të frymës së partisë dhe jam i bindur se ky ndryshim është shkaktari kryesor i rezultatit jo të dëshirueshëm të saj. Kandidatja për kryeministre, znj. Vjosa Osmani, në fakt kishte një retorikë shumë të ashpër, e cila nuk përkon me frymën rugoviste. Ata që kemi punuar me Rugovën e dimë se ai ka qenë shumë i butë, shumë tolerant, ka pasur një prirje shumë të madhe për kompromise, për bashkëpunim me kundërshtarët, nuk i ka vënë kurrë vija të kuqe askujt. Ndërsa Osmani ishte shumë refuzuese, me një retorikë të ashpër dhe ajo bëri një gabim strategjik, sepse luftën e saj e orientoi kundër PDK-së, e cila realisht nuk e rrezikonte dhe është e ditur se anëtarët e LDK-së asnjëherë nuk kalojnë në PDK, por shumë lehtë kalojnë në Vetëvendosje ose në AAK. P.sh. Në vend se ajo të fokusohej te lufta kundër LVV-së dhe mesazheve të saj ajo vazhdonte një luftë Donë Kishoteske kundër PDK-së.

LDK-ja të mos e kërkojë pozitën e kryeministrit, i takon LVV-së

Zëri: Sa besoni se mund të ketë një koalicion paszgjedhor mes LVV-së dhe LDK-së?

Krasniqi: Besoj se ka qenë gabim strategjik i LDK-së hapja e diskutimeve për koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen. LDK-ja është dashur ta luante lojën që të çonte mesazhin se ajo është partia kryesore, është fituese dhe nuk ka nevojë të bëjë koalicion me askënd, ndërsa ata luajtën lojë deri në minutën e fundit, ashtu që LVV-ja krijoi një epërsi morale dhe psikologjike se gjoja ata po duan koalicion, kurse LDK-ja po e refuzonte atë. Pikërisht kjo gjë një pjesë të elektoratit të pavendosur e ka shtyrë të shkojë drejt Vetëvendosjes me idenë që po këta po duan bashkëpunim, këta janë të mirë, ndërsa problemi është te LDK-ja. Me këtë rezultat të zgjedhjeve rruga për krijimin e një koalicioni është e hapur. LDK-ja dhe LVV-ja mund të arrijnë koalicion fare lehtë, ata i kanë 61 deputetë, pra mund ta formojnë Qeverinë me shumicë shqiptare dhe plus me minoritetin joserb, që janë 10 dhe në total bëjnë 71 deputetë. Ata pra me lehtësi mund ta formojnë Qeverinë, varet vetëm a kanë vullnet dhe varet se si menaxhohet procesi i negociatave, por pengesa më nuk kanë. PDK-ja është shpallur se shkon në opozitë, AAK-ja nuk ka numra të mjaftueshëm për t’i ndryshuar matematikat, kështu që zgjidhja e vetme tash për tash është koalicioni LVV dhe LDK, besoj që është korrekte nga LDK-ja ta pranojë faktin që Albin Kurti do të jetë mandatar për formimin e Qeverisë, sepse ai është fitues i zgjedhjeve. Ata mund ta rrisin pazarin në kërkesat për ministri, por nëse pretendojnë marrjen e kryeministrit, ajo do të ishte një pafytyrësi politike, sepse në fakt ata nuk e meritojnë këtë pozitë se nuk i kanë fituar zgjedhjet.

Rënia e AKR-së, e Nismës dhe e PSD-së, ndëshkim nga qytetarët

Zëri: AKR-ja, e cila vazhdimisht kishte përfituar një numër të madh të ministrive me një fuqi tejet të vogël politike, duket se nuk do ta kalojë pragun. Si e shihni ju moskalimin e pragut të koalicionit Nisma - AKR - PD?

Krasniqi: Arroganca që kanë treguar Nisma dhe AKR-ja gjatë qeverisjes “Haradinaj” atyre u është hakmarrë. Ato ishin parti të vogla, që morën shumë pushtet. P.sh., AKR-ja kishte dy deputetë, ndërsa kishte 4 ministri kyçe në Kosovë. Një parti e vogël nuk ka kuadro për të qeverisur me aq shumë resurse. Po të shikoni vetëm Ministrinë e Brendshme, ka qenë një dështim i dhimbshëm, sepse u banalizua deri në atë pikë, saqë kërkohej që ministri të jetë nga Ferizaj, pra parti me mentalitete familjare, lokaliste dhe klienteliste. E njëjta gjë ka ndodhur me Nismën, në Ministrinë e Arsimit p.sh. ka pasur punësime në baza partiake e familjare, që përnjëmend ua kanë sjellë qytetarëve në majë të hundës dhe si duket qytetarët i kanë penalizuar për këtë. Bindja ime e thellë është që duhet të shkohet drejt krijimit të një skene politike me dy blloqe të mëdha, sepse partitë e vogla nuk kanë elektorat, por kur futen në qeveri kërkojnë shumë, ndërsa nuk janë të afta dhe nuk kanë as përgjegjësinë e duhur për të qeverisur. Largimi i partive të vogla nga pushteti është lajm i mirë për Kosovën.

Zëri: Sipas rezultateve të deritanishme, koalicionit AAK - PSD i takojnë 12 ulëse, mirëpo po del se PSD-ja nuk ka arritur të marrë asnjë deputet. Pse ndodhi kjo?

Krasniqi: PSD-ja ka qenë një fraksion i dalë nga Vetëvendosja dhe është parë, ngase si duket kanë qenë një grup politikanësh karrieristë, se kanë pasur ambicie më të mëdha sesa i kanë pasur mundësitë e tyre. Nuk duhet harruar që partitë në Kosovë kryesisht janë lideriste, pra nuk janë parti që kanë projekte e programe, por kanë një lider. Qytetarët i besojnë ose nuk i besojnë liderit e PSD-ja nuk ka lider. Shpend Ahmeti është shembull i dështimit për udhëheqjen e Komunës së Prishtinës, sepse e ka shndërruar vendin në një dështim, që duket se edhe qytetarët e kanë kuptuar. PSD-ja unë jam i bindur që në të ardhmen ose do të shkrihet me AAK-në, ose duhet të gjejë një lider tjetër, por sipas të gjitha gjasave me Shpend Ahmetin ata nuk mund të ecin përpara.

Zëri: Cili besoni se duhet të jetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pas zgjedhjeve të 6 tetorit?

Krasniqi: Besoj që ne do të kemi përballë zgjidhje të këqija dhe vetëm duhet të zgjedhim se cila është më pak e keqe se tjetra. Unë jam i bindur se negociatat do t’i kenë tri opsione, i pari do të jetë ai që quhet "shkëmbimi i territoreve" ose "korrigjimi i kufijve", por që do të ketë rivendikime territoriale, që ne nuk e dimë ku përfundojnë. I dyti do të jetë krijimi i një autonomie të serbëve të veriut në ingerenca ekzekutive dhe nëse nuk pranohet as skenari i parë e as i dyti, një izolim i tmerrshëm i Kosovës dhe një dështim i shtetit të Kosovës. Pra të tria këto janë në tavolinë. Ne kemi humbur shumë kohë, kemi pasur shumë dështime në politikat ndërkombëtare, Kosova e ka humbur imazhin pozitiv që ka pasur menjëherë pas çlirimit dhe veçmas deri në vitin 2008. Pas kësaj ka filluar rënia graduale dhe me qeverinë e fundit pothuajse është shkatërruar imazhi i Kosovës, është shkatërruar edhe besimi i sponsorëve të pavarësisë së Kosovës, veçmas i SHBA-së dhe i BE-së, ashtu që tash Qeveria e ardhshme do të ketë punë shumë të vështirë që ta përballojë edhe procesin e negociatave dhe ta përmirësojë imazhin e Kosovës, do të jetë sfidë njëmend e vështirë. Unë nuk jam skeptik, vazhdoj të jem realist, por mendoj se ne e paguajmë një faturë të shtetndërtimit të gabueshëm që kemi bërë që nga 2008-a kur fokusi ka qenë në politikat e brendshme, ndarja e pazareve, përftimet materiale dhe më pak është punuar në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, në fuqizimin e shtetit të kombit shqiptar, në bashkërendimin me Maqedoninë, Malin e Zi dhe ne tash e paguajmë faturën e kësaj. Se si do të jetë epilogu sot për sot nuk mund ta dijë askush, por që do të jetë e rëndë periudha që kemi përpara, unë jam i bindur. Qeverinë, pavarësisht se kush e udhëheq, unë besoj që do ta udhëheqë Albin Kurti, do të ketë përballë një komunitet ndërkombëtar shumë agresiv e arrogant. Sa do të përballojë me sukses mbetet të shihet, por asnjëra nga zgjidhjet nuk do të jetë plotësisht e favorshme për Kosovën në fazën e tanishme. Pas 10 ose 15 vjetësh mund të rehabilitohet Kosova edhe me territoret e shkëmbyera, mund të qetësohet edhe autonomia e veriut nëse ndodh, por për fazën që kemi do të jetë një periudhë me probleme të shumta dhe e kushtëzuar. Nuk do të ketë liberalizim të vizave pa u kryer procesi i negociatave, nuk do të ketë investime të huaja, ashtu që do të vazhdojë varfëria, ikja e rinisë e shumë probleme të tjera.