Flasin deputetët që i 'tradhtoi' elektorati

Flasin deputetët që i 'tradhtoi' elektorati

Aktuale nëntor 07, 2019 - 14:04
Lexoni detajet!

Një numër i konsiderueshëm i deputetëve, që për disa mandate radhazi kanë shërbyer në Kuvendin e Kosovës, nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së shtatë, meqë nuk kanë arritur ta marrin besimin e elektoratit të subjekteve përkatëse. Megjithëkëtë, ata kanë pohuar se e pranojnë vullnetin e qytetarëve, pavarësisht faktit që angazhimet e tyre tash e tutje do t’i vazhdojnë jashtë Kuvendit

Në bazë të rezultateve është bërë e ditur se nga Lëvizja Vetëvendosje pjesë e kësaj legjislature nuk do të jenë Xhelal Sveçla, Sami Kurteshi, Ismajl Kurteshi, Shemsi Syla, Ali Lajçi dhe Drita Millaku, ndonëse të gjithë këta ishin pjesë e legjislaturës së kaluar.

Duke folur rreth kësaj Ismajl Kurteshi, i cili për tri mandate ishte deputet, ka thënë se është i kënaqur me rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe sido që të jetë rezultati i tij individual do të pajtohet me vendimin e qytetarëve.

“Së pari, e rëndësishme është që ka fituar Lëvizja Vetëvendosje dhe besoj se ajo është diçka që do të sjellë ndryshime në këtë vend. E dyta, ne ende nuk i kemi rezultatet zyrtare, do t’i presim ato dhe e treta, sido që të vendosë sovrani unë jam shumë i kënaqur me vendimet e qytetarëve. Por po i presim njëherë rezultatet”, ka thënë Kurteshi për gazetën “Zëri”.

Ndërkohë, edhe LDK-ja në këtë legjislaturë nuk do të prezantohet më me disa nga emrat që deri tani ishin pjesë e Kuvendit. Pjesë e kësaj legjislature nuk do të jenë: Ismet Beqiri, Imet Rrahmani, Naser Rugova dhe Mirjeta Kalludra.

Ish-deputeti Naser Rugova ka konfirmuar për “Zërin” se ndonëse ka marrë 6253 vota nuk do të jetë pjesë e Kuvendit. “Ka vendosur sovrani, nuk ka gjë të keqe këtu”.

Rugova ka thënë se do ta vazhdojë angazhimin e tij politik në Lidhjen Demokratike të Kosovës si pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti.

“Unë jam profesor universitar, jam anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Nuk varem fare nga politika, kam angazhimet e mia politike, por në radhë të parë janë angazhimet akademike”, është shprehur ai.

Pjesë e Kuvendit këtë herë nuk do të jenë as disa nga figurat më të njohura të Partisë Demokratike të Kosovës. Xhavit Haliti, Safete Hadërgjonaj, Fatmir Xhelili, Andin Hoti, Hajdar Beqa, Luljeta Veselaj e Xhevahire Izmaku nuk kanë arritur t’i mbledhin votat e mjaftueshme për ta siguruar sërish ulësen e deputetit.

Për “Zërin” ka folur Hajdar Beqa, i cili ka thënë se pavarësisht faktit që ka marrë mbi 8 mijë vota, nuk ia ka dalë të futet në Kuvend si pasojë e garës së ngushtë në PDK.

“Unë i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që më kanë votuar. Ende nuk janë rezultatet zyrtare dhe nuk mund të prononcohem derisa të bëhen publike nga KQZ-ja. Megjithatë, në bazë të informatave që i kam marrë nuk kam arritur ta kaloj pragun për të qenë deputet në këtë legjislaturë, i kam marrë diku 8100 vota, por gara në PDK ka qenë më e madhe dhe nuk kam arritur numrin e duhur”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, Beqa ka pohuar se angazhimin e tij politik do ta vazhdojë në Partinë Demokratike të Kosovës. “Megjithatë, do të vazhdoj angazhimin tim përmes Partisë Demokratike që t’u shërbej qytetarëve”, ka potencuar ai.  

Ashtu siç merr vesh gazeta, pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit nuk pritet të jenë as dy ish-deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi e Muharrem Nitaj. Ndonëse të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, ata nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj çështjeje.

Në bazë të rezultateve të deritanishme pjesë e Kuvendit nuk do të jenë as 12 deputetët nga radhët e PSD-së, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, Shqipe Pantina, Besa Baftiu, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Salih Salihu, Faton Topalli, Aida Dërguti, Frashër Krasniqi e Driton Çaushi, të cilët ishin pjesë e legjislaturës së kaluar, por që mandatin e kishin fituar sa ishin pjesë e LVV-së. /ZËRI