Republika e Ganës shpjegon pse tërhoqi njohjen e Kosovës

Republika e Ganës shpjegon pse tërhoqi njohjen e Kosovës

Aktuale nëntor 11, 2019 - 12:26
Detajet

Republika e Ganës është vendi i 16-të që tërhoqi njohjen e Kosovës, sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ndërsa një notë e dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Rajonal të këtij vendi sqaron se vendimi fillestar ishte i parakohshëm, raporton “Novosti”, transmeton zeri.info.

Përmbajtjen e dokumentit, i cili u dërgua në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, e sjellim në tërësi:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Rajonal të Republikës së Ganës shpreh respektin e saj për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë dhe është e nderuar të njoftojë si vijon: Qeveria e Republikës së Ganës ka vendosur të tërheqë njohjen e Kosovës nga ana e Ganës si një shtet të pavarur. Ky vendim i qeverisë u mor për arsyet e mëposhtme:

Gana vendosi që në vitin 2012 ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran, e ndjekur nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Njohja e sipërpërmendur përbënte një shkelje të Marrëveshjes së Helsinkit dhe gjithashtu një shkelje themelore të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB.

Vendimi për të njohur Kosovën doli të ishte i parakohshëm në funksion të paragrafit 10 të Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të KB, i cili autorizon Sekretarin e Përgjithshëm që “të krijojë një prani civile ndërkombëtare në Kosovë në mënyrë që të sigurojë një administratë të përkohshme për Kosovën, nën të cilën njerëzit e Kosovës mund të gëzojnë një autonomi të konsiderueshme brenda Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të sigurojë administratën kalimtare, ndërsa vendos dhe mbikëqyrë zhvillimin e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes për të siguruar një jetë të qetë dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës”.

Vendimi i Qeverisë së Ganës në atë moment ishte ndoshta frymëzuar nga kërkimi i paqes dhe harmonisë.

Qeveria e Ganës ka marrë parasysh dialogun ekzistues midis Serbisë dhe Kosovës, qëllimi i të cilit është zgjidhja e kësaj çështjeje, që buron nga aspirata e Kosovës për t’u njohur si një shtet i pavarur dhe sovran, dhe mbështet procesin në vazhdim për t’i dhënë fund problemit. /Zëri