Veteranët mashtrues detyrohen të kthejnë buxhetin e vjedhur

Veteranët mashtrues detyrohen të kthejnë buxhetin e vjedhur

Aktuale November 17, 2019 - 11:33
Detajet

Pas ngritjes së aktakuzës për “Veteranët mashtrues” ndaj të gjithë anëtarëve të Komisionit Shtetëror me në krye Agim Çekun dhe 11 të akuzuarve tjerë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me dhjetëra mijëra dosje për veteranët mashtrues për shkak të kompetencës i kishte deleguar për hetim në të gjitha Prokuroritë Themelore.

Njëra ndër Prokuroritë, e cila kishte pranuar dosje të tilla ishte Prokuroria Themelore në Pejë, e cila kishte marrë në trajtim 17 mijë dosje të veteranëve të deleguara nga PSRK, raportohet sipas një hulumtimi të emisionit “Betimi për Drejtësi”. Prokuroria e Pejës më 24 maj 2019 ka ngritur 20 aktakuza ndaj gjithsej 21 personave, të cilët kishin të bënin me dosjen e “veteranëve të rrejshëm”.

 

Gjatë procesit të gjykimit të këtyre rasteve të veteranëve mashtrues, as prokurorët e as gjykatësit nuk e kanë mbrojtur interesin publik në këto raste, rrjedhimsisht kanë lejuar që të dëmtohet buxheti i Republikës së Kosovës. “Në një rast, Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar të akuzuarin me 1300 euro dënim me gjobë, derisa ai sipas aktgjykimit të kësaj gjykate, ka përfituar kundërligjshëm pensionin e veteranit në shumë prej 1530 euro nga Buxheti i Republikës së Kosovës. Në këtë rast, rezulton se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit në esencë nuk është dënim, por është zvogëlim i përfitimit të kundërligjshëm. Kjo pasi edhe pas këtij dënimi, fitimi i kundërligjshëm tanimë i mbetur tek i pandehuri është 230 euro. Në rastin konkret, i dëmtuar “fund e krye” ka mbetur vetëm Buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet në raportin e publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Pas publikimit të këtij hulumtimi, si prokurorët ashtu edhe gjykatësit, kanë ndërruar praktikën e ndjekjes dhe gjykimit të këtyre rasteve. Tanimë edhe prokurorët në aktakuzat e tyre po kërkojnë nga gjykata që veteranët mashtrues, të obligohen që ta kthejnë buxhetin e përfituar në mënyrë të kundërligjshme, dhe në të njëjtën kohë edhe gjykatësit po shqiptojnë dënime plotësuese, duke ua marrë buxhetin e vjedhur. Për më tepër rreth këtij hulumtimi, ndiqeni linkun në vazhdim.