Thaçi e takon Ramën në Tiranë

Thaçi e takon Ramën në Tiranë

Aktuale November 18, 2019 - 15:48
Lexoni detajet!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duket se i ka harruar sulmet e Edi Ramës për minishengenin ballkanik. Ai sot ka njoftuar se gjatë vizitës së tij në Tiranë është takuar edhe me Ramën.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, Thaçi ka njoftuar se me Ramën kanë diskutuar për avancimin e bashkëpunimit për të mbrojtur dhe promovuar sa më mirë interesat e të dy shteteve.

“Gjatë qëndrimit në Tiranë takova edhe kryeministrin Edi Rama, me të cilin biseduam për avancimin e bashkëpunimit dhe koordinimin e hapave në zhvillimet e reja ndërkombëtare, për të mbrojtur dhe promovuar sa më mirë interesat e shteteve dhe të qytetarëve tanë”, ka shkruar Thaçi.

Ndryshe, sot në Tiranë u mbajtë konferenca ndërkombëtare “Feja si një instrument për paqen” të organizuar në bashkërendim me Departamentin e Shtetit të SHBA.

Të pranishëm ishin liderë e përfaqësues të disa vendeve të Rajonit si nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut etj.

Ndërsa në fokus të konferencës ishin çështjet dhe bashkëjetesa fetare, ra në sy se shpeshherë presidenti Meta dhe homologu i tij në Kosovë, Hashim Thaçi, të cilët diskutonin “vesh më vesh”, ndërsa ishin ulur krah njëri-tjetrit.

Madje, ata kanë shpeshtuar bisedat me zë të ulët edhe kur fliste kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Kujtojmë se së fundmi, të dy liderët kanë pasur përplasje me kryeministrin Edi Rama.Thaçi pas kritikave për pjesëmarrjen e Shqipërisë pa Kosovën në samitin për minishengenin ballkanik në Ohër, ndërsa Meta për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese.