Nëna bashkë me djalin jeton në kushte të mjerueshme në kontejnerët e lagjes Kodra e Trimave

Nëna bashkë me djalin jeton në kushte të mjerueshme në kontejnerët e lagjes Kodra e Trimave

Aktuale November 18, 2019 - 20:22
Detajet

Familja dy anëtarëshe Alidema, jeton në kushte të mjerueshme në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë.

Ky kontejner prej gjashtë metra katror që gjendet në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, është vendi ku jeton familja Alidema.

61-vjeçarja Zylfije Alidema jeton bashkë me djalin e saj 31-vjeçar në këtë kontejner prej tetë vitesh.

Përveç kushteve të rënda ekonomike, shëndeti i tyre mendor është mjaft shqetësues dhe kjo e rëndon edhe më shumë jetesën në këtë hapësirë prej 6 metra katror.

“Nuk muj mu çu vallain nuk muj me ec, po tutna që po rrëozohna”, thotë Zylfija për lajmi.net, e cila shton se nuk e di që sa vite është e sëmurë.

“Mjekët nuk vijnë me m’këqyrë. Nuk muj me shku te ambullanta se rrëzohna”, thotë ajo.

Djali i saj, i shtrirë në shtratin e kësaj dhome, nuk është i aftë që të punojë dhe të ecë, pavarësisht se ai është 31-vjeçar.

Zylfija thotë se ka kohë që djali i është rrëzuar dhe që nga ajo kohë ai është i sëmurë, por nuk e di se nga çfarë sëmundje vuan.

“Djali i ka 31 vjet. S’di vallain çka ka. Ni banesë që jemi kon, u çu u rrëzu edhe tash është pa qejf”, thotë 61-vjeçarja.

Jashtë këtij kontejneri gjenden edhe tualeti dhe banjoja e improvizuar e që shkuarjen deri aty, Zylfija dhe djali i saj e kanë mjaftë të vështirë.

Se kjo familje ka probleme shqetësuese mendore e konfirmojnë për lajmi.net edhe nga komuna e Prishtinës.

Zyrtarë të komunës kanë thënë se në vazhdimësi u ofrohet ndihmë nga Qendra e Punës Sociale.

“Familja dy anëtarëshe Alidema jeton në kontejnerin në Kodër të Trimave. Shëndeti i tyre mendor është shqetësues. Ata marrin pension invalidor. Nga QPS-ja në vazhdimësi ndihmohen me veshmbathje, ushqim dhe herë pas herë me drunj”, thuhet në përgjigjen e komunës dhënë për lajmi.net.

Sa i përket çështjes së banimit, nga komuna thonë se kjo familje ka refuzuar që të zhvendoset nga ky kontejner prej gjashtë metra katror.

“Ndërsa, sa i përket çështjes për banim, ata janë sugjeruar që të aplikojnë në Drejtori për tu subvencionuar me pagesa për qira, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar”, kanë bërë të ditur për lajmi.net nga Komuna e Prishtinës.

Në këtë vend në Kodrën e Trimave, dikur jetonin edhe familje të tjera, por që tashmë ka mbetur vetëm familja Alidema, pasi që të tjerat janë sistemuar në lagjen Hajvalia, ku komuna e Prishtinës e ka ndërtuar objekt për familjet me raste sociale.

Të gjithë ju që jeni të interesuar që ta ndihmon familjen Alidema, mund të drejtohen në zyrat e Kryqit të Kuq të Kosovës, dega në Prishtinë.