LDK: Vetëvendosja ka përgjegjësi që të mos i shtyjë afatet kohore

LDK: Vetëvendosja ka përgjegjësi që të mos i shtyjë afatet kohore

Aktuale December 06, 2019 - 11:37
Detajet

Sot janë bërë dy muaj prejse janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por partia fituese e zgjedhjeve, LVV-ja, ende nuk ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në. Derisa nga Vetëvendosja kanë thënë se për presidentin nuk duhet të flitet njëherë, nga LDK-ja këmbëngulin se kjo pozitë duhet t’u takojë atyre, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: LDK-ja kërkon kompromis të dhimbshëm nga Vetëvendosja

Besa Gaxherri nga LDK-ja, ka thënë se zyrtarët e këtij subjekti kanë pritur që marrëveshja me Vetëvendosjen të kryhej shumë më herët, me më shumë mirëkuptim. Deklaratat e disa zyrtarëve të LVV-së se presidenti nuk duhet të hyjë në kuadër të marrëveshjes finale, sipas saj, nuk i kontribuojnë situatës. Ndaj deklarimet e tilla ajo i ka cilësuar patetike. “Eksponentë të caktuar thonë se presidenti nuk duhet të hyjë në këtë marrëveshje, kjo është shumë patetike dhe e papranueshme, për arsye se nëse nuk zgjidhet tash marrëveshja edhe për presidentin ne pas një viti e gjysmë do ta kemi të njëjtën situatë dhe do të shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Për të ardhur deri te zgjidhja dhe te formimi i qeverisë, sipas Gaxherrit, partia e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, duhet të bëjë kompromis, qoftë edhe të dhimbshëm. “LVV-ja ka përgjegjësi që të mos i shtyjë afatet kohore për të bërë kompromis, ndonjëherë edhe të dhimbshëm, kjo është përgjegjësia e të parit për ta udhëhequr vendin. LVV-ja si parti e parë do ta ketë kryeministrin, të gjitha postet e tjera janë jorelevante karshi postit të kryeministrit”, ka shtuar ajo.

Nëse Vetëvendosja nuk pajtohet ta japë presidentin dhe kryekuvendarin, sipas saj, ekziston edhe një opsion tjetër, ai për ndërrim të pozitave.

“Nëse Vetëvendosja nuk pajtohet për t’ia dhënë presidentin dhe kryetarin e Kuvendit LDK-së, le t’i marrë vetë dhe të na e japë neve kryeministrin. Kjo është shumë e lehtë. Por ne nuk duam ta neglizhojmë procesin, sepse nuk kemi kohë për të humbur”, ka potencuar Besa Gaxherri. Pavarësisht zhvillimeve të fundit, ajo është shprehur optimiste se ka hapësirë që marrëveshja të ndodhë brenda këtij viti. Në të kundërtën, siç Gaxherri ka thënë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të sërishme. “Dua të besoj që do të ketë marrëveshje, që të dyja partitë t’i thërrasin ndërgjegjes. Nuk ka nevojë të humbet kohë. Cilido subjekt që nuk është i gatshëm ta bëjë këtë, atëherë duhet ta marrë përgjegjësinë, se zgjidhje tjetër nuk ka, duhet shkuar në zgjedhje për t’i komplikuar më shumë gjërat”, është shprehur ajo. //ZERI