Kujdes nga gripi sezonal: Tre persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore

Kujdes nga gripi sezonal: Tre persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore

Aktuale January 28, 2020 - 16:18

Një femër e moshës 39-vjeçare e një burrë tjetër 46-vjeçar janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Detaje për gjendjen shëndetësore të tyre ka dhënë për Express të martën, infektologu i QKUK’së, Valbon Krasniqi. Tutje, sipas Institutit Kombëtar, rreth 16 mijë kosovarë të tjerë janë prekur nga gripi sezonal muajve të fundit. Megjithëkëtë, për një muaj janë shënuar dy viktima nga gripi në Kosovë.

Një burrë rreth të 80’ve e një grua tjetër rreth 50-vjeçare janë dy viktimat e para të këtij të gripit sezonal. Ndërkaq, tre persona  tjerë të prekur nga gripi janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ata janë duke u trajtuar në kujdesin intensiv në Klinikën Infektive të QKUK’së. Bëhet fjalë për dy gra dhe një burrë. Mosha e tyre është 31, 39 dhe 46 vjeçare.

Detaje për këta pacientë si dhe për gripin sezonal në vend ka dhënë të martën për Express, infektologu i QKUK’së, doktor Valbon Krasniqi. Ai ka deklaruar se sezona e gripit ka nisur në muajin dhjetor, por sipas tij, rastet janë shtuar më shumë në javën e parë të janarit të këtij viti.

“Rastet e para kanë filluar që të paraqiten qysh në muajin dhjetor. Por këtë javën e fundit të janarit  kemi pasur një numër më të shtuar të rasteve të prekura nga gripi. Aktualisht në Klinikën tonë kemi pesë pacientë të shtrirë, dy prej tyre janë në gjendje më të lehtë ndërkaq tre të tjerë janë në kujdesin intensiv, dy nga ta janë të intubuar. Ndërkohë që një grua tjetër e lindur në vitin 1981 është duke marrë oksigjen. Mund të them se që të tre këta janë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore”, sqaron doktori.

Ai thotë se që nga dhjetori e deri më tani janë 8 raste të konfirmuara të gripit sezonal me influencën ‘A’, grup ky më i rëndi i gripit. Ndërkohë qe tek shtatë pacientë të tjerë është vërtetuar prania e gripit sezonal me influencë B.

“Që nga dhjetori e deri më tani në klinikën tonë i kemi pasur 8 raste të konfirmuara me influencën A si dhe 7 raste  të tjera me influencën B. Deri më tani nga dhjetori e deri sot dy raste të vdekjeve i kemi, në dhjetor ka ndërruar jetë një person i moshës së shtyrë rreth 80-vjeçar. Ai ka pasur edhe probleme të tjera shëndetësore.  Ndërkohë me datë  23 të këtij muaji ka ndërruar jetë edhe personi i dytë që ka qenë i prekur me grip sezonal. Një femër nga qyteti i Pejës e lindur në vitin 1970, e cila  ka pasur po ashtu sëmundje të mushkërive”, thotë Krasniqi.

Ai tregon se në javët e fundit janë shtuar edhe vizitat ambulatore tek pacientët që kanë grip.

Por megjithëkëtë, gjatë sezonit të gripit janë edhe 16 mijë kosovarë të tjerë të cilët janë të prekur.

Ndërkaq numri më i madh i rasteve me grip është raportuar nga Komuna e Prishtinës dhe Prizrenit. Megjithëkëtë ajo shton se gripi nuk ka kaluar pragun epidemik. Por megjithëkëtë, nga Instituti Kombëtarë vazhdimisht apelojnë tek Ministria e Shëndetësisë që ta rrisin vigjilencën kundrejt këtyre rasteve.

“Instituti Kombëtar apelon te të gjithë drejtorët Rajonal të Shëndetësisë Publike, që të ngritët niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë. Inspektorati shëndetësor duhet të mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore të Kosovës, për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse”, deklarojnë nga IKPSh’ja.

Rastet me grip në Institutin Kombëtar raportohen nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, me përjashtim të komunave me popullatë serbe.

Ndërkaq, viti 2018, ishte përmbyllur me 11 persona të vdekur nga gripi sezonal, çka atë kohë kishte ndikuar që në Kosovë të shpallej gjendje epidemike e gripit.