Resurset ujore po na pakësohen, paralajmëron zv.ministri i Ambientit

Resurset ujore po na pakësohen, paralajmëron zv.ministri i Ambientit

Aktuale February 19, 2020 - 19:09

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Avni Zogiani, ka thënë se Kosova së pari duhet të dijë se në çfarë gjendje janë aktualisht ujërat, derisa ka paralajmëruar pezullim të projekteve të hidrocentraleve.

Zogiani ka thënë se deri tani fokusi kryesor ishte në infrastrukturë, derisa tani do të jetë ambienti.

“Infrastruktura rrugore mendojmë se është zhvilluar shumë, por ambienti është dëmtuar shumë. Fatkeqësisht ndonjëherë ka parametra alarmant. Do të kalohet nga obsesionimi në infrastrukturë në mbrojtje të ambientit të pastër dhe disa ide tashmë janë hedhur”, ka thënë Zogiani në KTV.

Sipas tij pëlqimet ambientale dhe dhënien e lejeve kanë qenë vetëm formalitete, pasi ato janë bërë pa ekspertiza.

“Ajo çfarë ka ndodhë përpara kryesisht ka qenë një proces formal i marrjes së lejeve dhe pëlqimeve ambientale. Nuk ka pasur rregulla strikte. Shumë ekspertë alarmojnë se nuk janë bërë studime të mjaftueshme rreth hidrocentraleve. Situata është shumë komplekse dhe nuk është e lehtë. Shumë projekte janë proceduar pa shumë kritere, pa pasur studime të mirëfillta të natyrës. Edhe kur aprovohen, edhe po qenë dobët të projektuara dalin shumë shpesh edhe prej atij projekti të dobët, sepse nuk ka pasur monitorim”, ka thënë Zogiani.

Sipas tij fokusi tani do të jetë në monitorimin e projekteve aktuale, e mundësisht edhe në ndalimin e ndonjërës prej tyre e do të kemi shumë kujdes në ato të ardhmet.

“Kosova nuk e ka idenë për gjendjen e ujërave. Pa e pasur idenë se çfarë sasie uji ka në periudha të ndryshme ata caktojnë parametrat të shfrytëzimit të tij. Duhet të ketë një plan të menaxhimit, por para kësaj duhet të ketë njohje të tyre. Disa prej tyre iu kemi konfirmuar se punimet mund të pezullohen dhe kjo natyrisht nuk mund të nënkuptojë njëkohësisht edhe anulim të licencave. Ne duhet të kuptojmë gjendjen e ujërave në Kosovë dhe pastaj të procedojmë. Nuk ka pezullim, do të jetë një suspendim i përkohshëm i punës së tyre për të kuptuar se çfarë po ndodhë”, ka thënë ai.

Zogiani tutje është shprehur se shumica e problemeve rrjedhin nga vet Ministritë.

“Shumica e problemeve rrjedhin nga Ministritë, sidomos nga kjo e Ambientit, shumë pëlqime mjedisore janë bërë vetëm formalisht, që janë plotësuar. Para së gjithash secili projekt duhet ta ketë ndikimin e saj në mjedis. Këto shkelje potencialisht kanë pasur prapa një interes, e kjo duhet me u pa”, ka thënë ai.

Ai thotë se nuk kanë frikë se kompanitë mund ta çojnë Kosovën në arbitrazh.

“Nuk frikësohemi pasi s’po bëjmë asgjë joligjore, e ne nuk do të veprojmë me arbitraritet. Ky reagim shpreh frikën e tyre, pasi po u futëm për të hulumtuar situatën aty diçka nuk është në rregull. Ato kompani kanë kërcënuar shtetin. Nuk do të bëhet asnjë veprim për interesa të miat apo të ministrisë, por për shkak të shtetit”, ka thënë Zogiani.

Zogiani thotë se në emër të përfitimeve nuk mund të bëhen krime ambientale.

“Zhdukja e specieve të ndryshme nuk mund të rikuperohet. Në në emër të përfitimeve nuk mund të bëjmë krime ambientale, pra krime ndaj natyrës. Nuk do të mundem me e kalu një krim ekologjik”, ka thënë ai.

Sipas tij kompania Kelkos ka bërë disa shkelje.

“Kelkos ka bërë para së gjithash dyshojmë se ka bërë shkelje sepse ka bërë eksploatimin e zhavorrit dhe nuk e ka bërë digën, kjo praktikisht është mashtrim. Me sa e di tashmë ka pretendime për hetim nga prokuroria”, ka thënë Zogiani.

Ai thotë se resurset ujore po na pakësohen.

“Resurset ujore po na pakësohen. Janë lumenj që në periudha të dimrit kanë shtim, por këto nuk mjaftojnë. Shoqëria kosovare nuk e di se në çfarë gjendje e ka ujin, duhet të bëhen studime dhe plane për menaxhimin e ujërave. Duhet me pas dokumente relevante në këtë fushë”, ka thënë Zogiani.