Pas kundërshtimeve të ashpra procesi i noterëve pritet të kthehet në pikën zero

Pas kundërshtimeve të ashpra procesi i noterëve pritet të kthehet në pikën zero

Aktuale February 20, 2020 - 08:09
Image

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se këtë javë do të anulohet procesi i emërimit të 79 noterëve për 35 komunat e Kosovës, proces ky i nisur më 23 korrik të vitit të kaluar, katër ditë pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinajt. Procesi i noterisë në Kosovë përveç nga shoqëria civile është kundërshtuar ashpër edhe nga bashkësia ndërkombëtare, të cilët kanë bërë të ditur se në të ardhmen emërimi i noterëve do të mbikëqyret nga Unioni Ndërkombëtar i Noterëve, shkruan sot gazeta Zëri.

E para e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me të ardhur në pushtet ka paralajmëruar se do të rishqyrtohen të gjitha vendimet e marra nga ish-ministri i këtij Dikasteri Abelard Tahiri, duke përshirë këtu edhe emërimin e 79 noterëve për 35 komuna të Kosovës. Haxhiu të martën në një deklaratë për medie paralajmëroi se ky proces do të anulohet brenda kësaj jave. “Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë na pret ndoshta brenda kësaj jave një vendim për anulimin e procesit të noterisë. Siç e dini, në këtë proces ka humbur besimi për faktin se kanë arritur ta kalojnë provimin njerëz, të cilët kanë pasur lidhje familjare e partiake me pushtetin e kaluar. Qëllimi ynë është që ky proces të jetë transparent e i ligjshëm dhe kështu kemi vendosur ta kthejmë në pikën zero”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkohë ky proces që nga fillimi është kundërshtuar njëzëri nga shoqëria civile kosovare dhe nga bashkësia ndërkombëtare, të cilët kanë evidentuar shkelje të shumta. Sipas tyre, rritja e shpejtë e numrit të noterëve dhe kriteret jo të përpikta gjatë procesit të emërimit mund ta dëmtojnë fushën e noterisë, por edhe qytetarët e Kosovës. Po ashtu ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Held, pati paralajmëruar se emërimi i noterëve kosovarë në të ardhmen do të bëhet me ndihmën dhe nën mbikëqyrjen e Unionit Ndërkombëtar të Noterëve.


Haxhiu: Procesi i noterisë do të anulohet, Komisioni do të shkarkohet

Ministrja e re e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një intervistë dhënë medieve të martën ka deklaruar se procesi i noterisë, i cili vazhdimisht është kritikuar për nepotizmin dhe për kriteret e dyfishta, do të anulohet këtë javë. “Ministria e Drejtësisë pritet të jetë njëra ndër ministritë, e cila do të ballafaqohet me shumë sfida. Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë na pret ndoshta brenda kësaj jave një vendim për anulimin e procesit të noterisë. Siç e dini, në këtë proces ka humbur besimi për faktin se kanë arritur ta kalojnë provimin njerëz, të cilët kanë pasur lidhje familjare e partiake me pushtetin e kaluar. Qëllimi ynë është që ky proces të jetë transparent e i ligjshëm dhe kështu kemi vendosur ta kthejmë në pikën zero”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shtuar se pas anulimit të këtij procesi do të shkarkohen edhe anëtarët e Komisionit, duke theksuar se ka pasur pazare nga ana e pushtetit të kaluar sa i përket procesit të noterisë. “Me letra janë krejt në rregull, por pavarësisht këtyre letrave që unë i kam në disponim fshihet një pazar, të cilin e kanë bërë për t’ua mundësuar njerëzve që kanë lidhje qoftë familjare, qoftë partiake ta kalojnë provimin e noterisë. Unë e di se brenda këtij provimi kanë kaluar edhe njerëz, që janë meritorë. Brenda kësaj jave do të merret vendimi për anulim. Si veprim së pari do të jetë anulimi i këtij procesi dhe pastaj shkarkimi i anëtareve që kanë qenë pjesë e Komisionit”, është shprehur e para e Ministrisë së Drejtësisë.

Nepotizëm, kritere të dyfishta dhe jotransparencë në emërimin e noterëve të rinj

Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një deklaratë për “Zërin” ka potencuar se procedura për zgjedhjen e noterëve të rinj deri në këtë fazë është përshkuar me parregullsi të shumta dhe me mungesë të standardeve minimale të transparencës. “Procesi i emërimit të noterëve brenda Ministrisë së Drejtësisë ka përfunduar, përjashtimisht nënshkrimit të vendimit nga ana e ministrit të Drejtësisë për emërimin e noterëve dhe betimi i noterëve të rinj te kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës. IKD-ja mbetet prapa deklarimeve të mëhershme se procedura për zgjedhjen e noterëve të rinj deri në këtë fazë është përshkuar me parregullsi të shumta dhe me mungesë të standardeve minimale të transparencës”, ka thënë ai.


Po ashtu sipas Shalës, i tërë procesi është zhvilluar mbi bazën e konfliktit të interesit, në kundërshtim me ligjet në fuqi. “Për më tepër, krahas dëshmive që janë publikuar në medie, ky proces është parë vazhdimisht nga publiku si proces i zhvilluar mbi bazën e konfliktit të interesit. Neni 6 i Ligjit Nr. 06/L -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik përcakton se “Konflikti i interesit lind nga një rrethanë në të cilën zyrtari ka interes privat, që ndikon, mund të ndikojë ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare”, ka thënë Shala.
Ndër problemet e evidentuara sipas IKD-së ishte edhe moslegjitimiteti i Ministrisë së Drejtësisë në qeverinë “Haradinaj” për ta proceduar tutje këtë proces. Rrjedhimisht sipas Shalës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duhet ta vlerësojë detajisht ligjshmërinë dhe legjitimitetin e tërë këtij procesi dhe mbi bazën e gjetjeve mbi këtë proces të marrë edhe vendimin meritor.


Në anën tjetër njohësi i çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu në një deklaratë për “Zërin” ka thënë se e mirëpret vendimin e qeverisë “Kurti” për rikthim në pikën zero të procesit të noterëve, pasi ky proces duhet të bëhet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. “Emërimi i noterëve duhet të bëhet në përputhje me dispozitat ligjore. Gjatë procesit të fundit për emërimin e noterëve është konstatuar nga burime të ndryshme se ka pasur një proces jotransparent dhe të njëanshëm për emërimin e tyre. Prandaj mendoj se parimisht çdo vendim që nuk është marrë brenda mandatit qeverisës duhet të rikthehet përsëri dhe aq më tepër kur është konstatuar se në këto procese ka pasur parregullsi dhe nepotizëm gjatë inicimit të tyre. Vlerësoj se është një veprim legjitim i qeverisë së re, përkatësisht ministrisë së re”, ka theksuar Baraliu, duke e quajtur legjitim vendimin për rikthim në pikën zero të procesit të emërimit të noterëve. /ZERI