S’ka ushtarë të prekur nga koronavirusi në FSK

S’ka ushtarë të prekur nga koronavirusi në FSK

Aktuale April 07, 2020 - 09:22
Numri total i të prekurve në Kosovë nga koronavirusi ka shkuar në 165
Image

Të hënën kanë ndërruar jetë edhe dy pacientë nga koronavirusi, duke çuar numrin e përgjithshëm në tre, ndërsa mbrëmë Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka konfirmuar edhe 20 raste të reja pozitive me koronavirus, ndërkohë edhe një pacient është shëruar dhe numri total i të shëruarve ka shkuar në 24.

Deri më tani, fatmirësisht, në Ushtrinë e Kosovës nuk ka asnjë të prekur nga ky virus, këtë e kanë konfirmuar për “Zëri.info” zyrtarë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Drejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e Mbrojtës, Ibrahim Shala, ka thënë se deri më tani nuk ka pasur asnjë të dyshuar me koronavirus në FSK dhe në Ministrinë e Mbrojtës. "Deri më tani as FSK-ja dhe as Ministria e Mbrojtjes nuk kanë ndonjë të dyshuar me infektim nga koronavirusi. E gjithë kjo është rezultat i respektimit të udhëzimeve për parandalimin e përhapjes së virusit, të lëshuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga FSK-ja për personelin, i cili është i angazhuar si brenda, ashtu edhe jashtë kazermave të FSK-së”, ka thënë Shala për “Zëri.info”.

Shala ka bërë të ditur se personeli është i pajisur me mjete mbrojtëse, si dhe janë vendosur dezinfektues për pastrimin e duarve në të gjitha hapësirat e MM-së dhe të FSK-së. “Gjithashtu personeli në operacione është i pajisur me mjete standarde mbrojtëse sipas protokollit të sëmundjeve infektive të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës”, ka shtuar ai. /ZERI