Ish-këshilltari i Kurtit, Nenad Rashiq: Qeveria “Hoti” do të jetë afatshkurtër

Ish-këshilltari i Kurtit, Nenad Rashiq: Qeveria “Hoti” do të jetë afatshkurtër

Aktuale May 29, 2020 - 11:43

Ish-këshilltari i kryeministrit në detyrë, Nenad Rashiq, ka thënë se është ndier i befasuar me vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, përmes të cilit i jepet drita e gjelbër dekretit të presidentit Hashim Thaçi për nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër të ri të Kosovës.

“Më duhet të them që jam i befasuar”, ka thënë Rashiqi, raporton “Kosovo Online”, duke shtuar se pas këtij vendimi do të dëmtohet rëndë autoriteti i Gjykatës Kushtetuese.

Rashiqi ka treguar se pritjet e tij kanë qenë që vendimi të jetë në favor të Lëvizjes Vetëvendosje.

Më tej ai ka thënë se qeveria që do ta drejtojë Avdullah Hoti do të jetë shumë e dobët dhe afatshkurtër.

Ish-këshilltari i Kurtit ka thënë se pas këtij vendimi janë dy rrugë, rezistenca pasive ose pranimi i një vendimi të tillë, duke shprehur pakënaqësi të mëdha dhe rezistenca aktive, që sipas tij mund të manifestohet në mënyra të ndryshme.

Kurti kishte marrë vendim për shkarkimin e Nenad Rashiqit nga pozita e këshilltari të tij dhe nga ajo e drejtorit për Çështjen e Komuniteteve pas aktakuzës së ngritur ndaj tij për aktivitetin e ushtruar në Komitetin Qeveritar për Privatizim.