Infektuar: 4715
Shëruar: 2227
Vdekur: 101
Shqipëria furnizohet me helikopterët e famshëm nga SHBA-ja

Shqipëria furnizohet me helikopterët e famshëm nga SHBA-ja

Aktuale May 29, 2020 - 13:05

Në një ceremoni të veçantë, të zhvilluar në Bazën Ajrore të Farkës, ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, nënshkruan kontratën e pranimit për pajisjen e Forcës Ajrore shqiptare me helikopterë “Black Hawk”.

Helikopterët, asistencë e qeverisë së SHBA-së, pritet të mbërrijnë së shpejti në Shqipëri dhe për ministren Xhaçka ky kontribut rrit kapacitetet e Forcave të Armatosura shqiptare.

“Jam e lumtur që sot, përmes këtij nënshkrimi, u tregojmë qytetarëve tanë se nuk jemi vetëm. Se kemi miq. Se jemi miq. Që do të jemi krah njëri-tjetrit, sidomos në kohë të vështira. Helikopterët ‘Black Hawk’, që shumë shpejt do të jenë pjesë e Forcës sonë Ajrore, investimi kolosal në bazën e Kuçovës, sistemi i radarëve pas marrëveshjes me kompaninë amerikane ‘Lockeed Martin’, janë të gjithë tregues të ringritjes së Forcës Ajrore me hapa të sigurt dhe në krah të aleatit strategjik.

Edhe pse kapacitetet e Shqipërisë janë ende modeste, unë besoj shumë se vlera e shtuar e kësaj infrastrukture për Aleancën dhe për aleatët tanë amerikanë është shumë domethënëse. Ne jemi duke punuar shumë për të konsoliduar dhe përmirësuar profesionalizmin dhe gatishmërinë e forcave tona. Ashtu siç do të bëjmë me krijimin e një qendre trajnimi multifunksionale, që do të përgatisë personelin tonë për një mori specializimesh të forcave ajrore”, tha ministrja Xhaçka.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, u shpreh se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë dhe do të vijojnë të qëndrojnë “krah për krah”.

Projekti për pajisjen e Forcës Ajrore me helikopterë amerikanë të tipit “Black Hawk” mori rrugë një vit më parë gjatë vizitës që ministrja Xhaçka zhvilloi në Gardën Kombëtare të New Jerseyt. Përgjatë një viti ka pasur disa trajnime të pilotëve shqiptarë pranë kësaj garde dhe të specialistëve amerikanë pranë Forcës Ajrore për zhvillimin e kapaciteteve dhe të aftësive për përdorimin e mjeteve të reja, që do të jetë pjesë e flotës ajrore shqiptare.