Bekim Haxhiu: Në pandemi u vodhën edhe qeset e kufomave

Bekim Haxhiu: Në pandemi u vodhën edhe qeset e kufomave

Aktuale May 29, 2020 - 13:13

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, deputeti i Partisë Demokratike Bekim Haxhiu, ka deklaruar se hajnia në tenderë nga Ministria e Shëndetësisë ishte shumë e madhe.

Haxhiu tha se vjedhja ishte nga “Paracetamol”-i e dorezat dhe deri në qeset e kufomave në kontratat e nënshkruara nga Ministria.

Ai tha se një maskë, e cila në treg gjendet me 95 centë, është blerë nga Ministria e Shëndetësisë me çmimin prej 8.50 eurove, pra diku afro 3500% më shtrenjtë.

“Një maskë pp2 respiratore, që në rajon gjendet me 95 centë e deri në 1.21 euro, Ministria e Shëndetësisë e ka paguar me çmim 8 euro e 50 centë, gjithashtu edhe me maska kirurgjike, QKUK-ja ka pasur kontratë valide me 16 centë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka kontraktuar maska me çmim 56 centë, pra për afro 3500% më shtrenjtë ka kontaktuar blerjen e tyre, po ashtu është vjedhur prej ‘Paracetamol’-it e dorezave deri te qeset e kufomave”, tha Haxhiu në RTK-në.

Po ashtu Haxhiu tha të gjitha këto dëshmi, që janë pranuar edhe nga zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, janë dorëzuar në prokurori për hetime.

“Komisioni Parlamentar tanimë e ka zyrtarizuar për hetim në organet e Prokurorisë, në mbledhjen që e kemi pasur është shqyrtuar dokumentacioni nga Ministria e Shëndetësisë, të gjitha këto dokumentacione të dorëzohen në prokurori, pasi ka dyshime për fryrje të çmimeve deri në 3500%, kontrata të dyfishta”, tha Haxhiu.