KMDLNJ: Vendimi i Kushtetueses të respektohet, vendi mund të shkojë në zgjedhje në fillim të 2021-ës

KMDLNJ: Vendimi i Kushtetueses të respektohet, vendi mund të shkojë në zgjedhje në fillim të 2021-ës

Aktuale May 29, 2020 - 13:17

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi dekretin e presidentit Thaçi për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, pa partinë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, Këshilli për Liritë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut bën thirrje që të gjithë aktorët politikë të kontribuojnë që situata të mos përshkallëzohet. “KMDLNJ-ja edhe para se të merret ky vendim ka kërkuar nga të gjitha palët ta respektojnë vendimin dhe të sillen në përputhje me këtë vendim.

KMDLNJ-ja ishte dhe është kundër çdo fjalori që thërret ose nxit dhunë, sikur edhe kundër linçimit publik që po u bëhet sidomos gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, pasi morën vendimin”, bën thirrje kjo organizatë.

Po ashtu KMDLNJ-ja thotë se përkrah çdo protestë ose shprehje të pakënaqësisë që bëhet në përputhje me ligjin dhe në mënyrë paqësore, porse sipas tyre këto protesta vetëm se do ta dëmtojnë subjektin që po i organizon ato.

“Konstelacioni i krijuar politik pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk siguron një qëndrueshmëri qeverisëse dhe vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2021. Në një situatë ku afërsisht 58-60 deputetë shqiptarë janë në opozitë është e paimagjinueshme që mund të merren vendime të mëdha dhe të rëndësishme për Kosovën”, përfundon qëndrimi i tyre.