Eskalon situata, protestuesit tentojnë të hyjnë në oborrin e Kuvendit
Foto: Zëri

Eskalon situata, protestuesit tentojnë të hyjnë në oborrin e Kuvendit

Aktuale June 03, 2020 - 10:37

I plotësuar 12:20

Disa qytetarë të Kosovës janë duke protestuar para Kuvendit të Kosovës në kohën kur është duke u mbajtur seanca për formimin e qeverisë së re, raporton “Zeri.info”.

Mirëpo duket se protestuesve u ka humbur durimi edhe janë duke tentuar të hyjnë në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq policia e Kosovës është vendosur në hyrje të Kuvendit dhe janë duke ndaluar qytetarët që të futen në hapësirën e Kuvendit.

Image

Qytetarë të paorganizuar po protestojnë para Kuvendit 

I plotësuar: 12:00

Shtohet numri i protestuesve para Kuvendit të Kosovës në kohën kur është duke u mbajtur seanca për formimin e qeverisë së re, raporton “Zeri.info”.

Qytetarët të mbledhur para Kuvendit kanë thënë se nuk janë pjesë e ndonjë organizimi, por janë individë që po i bashkon një kauzë.

Kjo dëshmohet edhe nga mosorganizimi në mes tyre.

Megjithatë, brohoritjet po organizohen në kore.

“Albin Kurti”, “Me hajna nuk ka shtet”, “Duam Zgjedhje”, “S’ka qeveri pa zgjedhje” e “Vjosa Osmani”, janë disa prej brohoritjeve të tyre.

 


Qytetari proteston para Kuvendit me flamurin në gjysmështizë

Një qytetar ka dalë para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ku pas pak minutash pritet të fillojë seanca për votimin e qeverisë “Hoti”.

Ai në dorë po mban një flamur të Kosovës, të vendosur në gjysmështizë.

Arsyeja e këtij gjesti simbolik është, sipas tij, fakti se “kriminelët po kthehen në vendin e krimit”, duke iu referuar partive të koalicionit të ri qeverisës.

“Unë sot ndiej që kemi ditë zie. Arsyeja është e thjeshtë. Mirë do të ishte të mbajmë ditë zie për minatorët, por tragjedia më e madhe që kemi sot ditë zie është sepse kriminelët po kthehen në vendin e krimit dhe atë me ndihmën e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ky qytetar, raporton Zeri.info.

Image

Pakënaqësi është duke shprehur edhe një qytetare tjetër, Flutra Zymi, e cila u deklarua se kjo qeveri e cila pritet të votohet sot nuk i ka mbajtur premtimet e fushatës, raporton Zeri.info.

“Nëse dikush i ka dëgjuar premtimet gjatë fushatës, atëherë ky është manipulim i votës vjedhje e votës. Nuk do të thotë që qytetarët nuk dinë të organizojnë, nuk kemi nevojë partitë politike të na tregojnë çfarë të bëjnë. Këtë protestë e imja nuk është politike”, tha Flutra Zymi e cila po proteston para Kuvendit të Kosovës.

Një tjetër qytetarë thotë për Zërin se kjo ditë është ditë zie për kombin shqiptar.

“Kam ardhur me shpreh pakënaqësinë për qeverinë e re që ka qenë në pushtet po të mira asnjëherë nuk ka bërë. Sot është ditë e zezë për kombin shqiptar”, Shukri Retkoceri protestues i ardhur nga Ferizaj, raporton Zeri.info.