Hoti përjashton mundësinë që Thaçi të udhëheq me dialogun

Hoti përjashton mundësinë që Thaçi të udhëheq me dialogun

Aktuale June 05, 2020 - 20:32

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se qeveria e tij synon që të heqë shumë shpejt të gjitha pengesat për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hoti shpreh besimin për një rifillim të shpejtë bisedimesh që do të drejtohen prej tij dhe në të cilat thotë ai, nuk do të diskutohet për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh, por vetëm për njohje të ndërsjellë.

“Prandaj po them është e qartë në këtë drejtim sepse dialogun e udhëheq qeveria, kreu i qeverisë është kryeministri, kështu që mua në bazë të Kushtetutës më bie kjo barrë e udhëheqjes së këtij procesi. Atë që do të bëj unë është që të zbatoj një qasje jo konfrontuese me institucionet tjera, por një qasje koordinuese për t’i përfshirë të gjithë në këtë proces. Por sigurisht, barra do të bie mbi qeverinë, mbi këtë koalicion qeverisës. Por, përtej kësaj, do të zgjasim dorën edhe tek opozita, për të parë se si ata mund të përfshihen në këtë proces. Të gjitha partitë parlamentare duhet të jenë të përfshira në këtë proces, por vetëm mbi baza të mekanizmave kushtetues dhe parlamentar që i jep të drejtë të gjithëve edhe opozitës që të përfshihen në këtë proces”, ka thënë ai.

Hoti ka përjashtuar mundësinë që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të udhëheq procesin e dialogut me Serbinë.

“Kuvendi në këtë aspekt do tëketë rol kyç, përmes mekanizmave ekzistues parlamentar, komisioneve të ndryshme parlamentare, ose duke krijuar mekanizma të ri parlamentar ku prapë opozita e ka fjalën kryesore për të mbikëqyrur procesin. Ajo për të cilën unë siguroj opozitën dhe qytetarët është që procesi do të udhëhiqet vetëm mbi baza kushtetuese dhe me një transparencë të plotë gjatë këtij procesi, sepse ky nuk është proces që i takon vetëm një koalicioni qeverisës, por gjithë spektrit politik dhe gjithë qytetarëve të vendit. Prandaj jemi duke menduar mekanizma të ndryshëm kushtetues, jo mekanizma jo institucional por kushtetues, që të gjitha palët të jenë të përfshira në proces dhe të arrijmë një marrëveshje e cila mund të ratifikohet në parlamentin e Kosovës”, ka thënë Hoti./Zëri