Pas heqjes së reciprocitetit, zhbllokohen fondet amerikane të MCC-së

Pas heqjes së reciprocitetit, zhbllokohen fondet amerikane të MCC-së

Aktuale June 06, 2020 - 20:35

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka mirëpritur zhbllokimin e fondeve të MCC në Kosovë, shkruan “Zeri.info”.

Hoti, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Twitter”, ka thënë se ka mirëpritur vendimin për vazhdimin e implementimit dhe zhvillimit të programit kompakt të propozuar për Kosovë.

“Republika e Kosovës mirëpret vendimin e “Korporatës Millenium Challenge” për zhbllokimin e fondeve të saj, të rifllimit të zbatimit të ‘threshold program’ dhe zhvillimin e programit kompakt të propozuar në Kosovë”, theksoi Kryeministri i Kosovës në postimin e tij.

Në mars të këtij viti, si pasojë e mosbindjes së tashmë ish-kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për heqjen e tarifës 100 për qind pa kushte ndaj produkteve të importuara nga Serbia, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC), konfirmoi nëpërmes një komunikate për medie se ka pezulluar programet e zhvillimit ekonomik për Kosovën.

"Pozicioni i Shteteve të Bashkuara lidhur me tarifat e Kosovës ndaj mallrave nga Serbia është i qartë. Heqja e këtyre tarifave do të përmirësojë ekonominë e Kosovës dhe do të ndihmojë në uljen e varfërisë përmes rritjes ekonomike. Derisa të zgjidhet çështja e tarifave të Kosovës, MCC do të pezullojë programet e saj në Kosovë”, thuhej në njoftim./Zëri.