Në UP provimet po mbahen sipas masave mbrojtëse të rekomanduara

Në UP provimet po mbahen sipas masave mbrojtëse të rekomanduara

Aktuale July 12, 2020 - 12:41

Elvira Agushi/ Prishtinë

Kufizimet që po ndodhin si pasojë e pandemisë COVID-19 në funksionimin e institucioneve janë të shumta. Të prekur nga kjo situatë janë edhe studentët.

Karantinimi nga koronavirusi bëri që të pezullohet afati i mbajtjes së provimeve të muajit prill në Universitetin e Prishtinës (UP).

Pas kësaj, UP-ja mundësoi që provimet e qershorit të ndahen në dy periudha, “Qershori 1” dhe “Qershori 2”, duke iu dhënë mundësi studentëve të përfundojnë provimet e prillit.

Në një përgjigje për gazetën “Zëri” nga zyra për informim e rektoratit të UP-së bëjnë të ditur se mbajtja e provimeve në UP është një çështje statuare dhe njësitë akademike janë përgjegjëse për organizimin e provimeve për studentët. “Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë ankesë nga menaxhmentet e fakulteteve rreth organizimit dhe mbajtjes së provimeve. Sipas informacioneve që kemi, stafi dhe studentët janë duke respektuar rekomandimet zyrtare të organeve kompetente për mbrojtje dhe parandalim të pandemisë COVID-19”, theksohet në përgjigjet zyrës së rektoratit.

Studenti Bujar Beka, nga Fakulteti i Mjekësisë, drejtimi Stomatologji, ka thënë se nuk ka dëgjuar të ketë ndonjë kërkesë nga studentët që provimet të mbahen në formën “online”.

Sipas tij, kërkesë për mos mbajtje të provimeve ka pasur vetëm nga disa profesorë të cilët janë të angazhuar edhe në klinikë.

“Mund të them që në masë bukur të madhe janë respektuar masat, duke u ruajtur distanca, përdorimi i maskave, gjithashtu edhe lëndët klinike pjesa praktike me pacientë është larguar tërësisht”, theksoi Beka.

Edhe studentja e Fakultetit të Inxhinerisë Mekanike, Liridona Matluma, theksoi se ka mbajtur provimet gjatë kësaj periudhe dhe masat janë respektuar në maksimum. “Nuk lejohet hyrja në fakultet pa dorëza dhe maska. Numri i studentëve, varësisht nga salla, kufizohet dhe gjatë provimeve mbahet distanca deri në dy metra”, thotë Matluma.

Ajo tregon se studentët momentalisht nuk kanë ankesa dhe vetë po kërkojnë mbajtjen e provimeve në salla të fakultetit dhe jo në mënyrë elektronike.

“Ndoshta, për nga numri nuk jemi shumë studentë dhe kjo ka ndikuar për të mirë te ne, duke qenë se nuk kemi ankesa për mënyrën e mbajtjes së provimeve”, theksoi ajo.

Si rrjedhojë e kësaj, organet përgjegjëse në UP deri më tani nuk kanë marrë ndonjë vendim për mbajtje të provimeve në formë virtuale, por menaxhmenti i UP-së është duke bërë përgatitje që afati i shtatorit të organizohet në mënyrë të kombinuar, virtuale dhe fizike./Zëri