Infektuar: 15142
Shëruar: 12674
Vdekur: 615
Oda e Afarizmit kërkon që pushimi i lehonisë të merret përsipër nga shteti

Oda e Afarizmit kërkon që pushimi i lehonisë të merret përsipër nga shteti

Aktuale August 02, 2020 - 11:41

Oda e Afarizmit të Kosovës edhe një herë ka kërkuar nga Ministrii i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, për ndryshim-plotësim të “Ligjit të Punës” dhe “Ligjit për pushimin e Lehonisë”.

OAK, kërkon që të ndryshohet neni 34 dhe neni 42, në mënyrë që të ketë barazi në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit. Këto ndryshime, OAK i konsideron të nevojshme.

“Në këtë kërkesë theksohet Neni 34, i cili thotë që “Punonjësi e ka të drejtën e shkëputjes së kontratës së punës në mënyrë të njëanshme “dhe “Punonjësi me kontratë me afat të caktuar për shkëputjen e kontratës, duhet ta informoj punëdhënësin paraprakisht në formë të shkruar në afatin prej 15 ditësh, ndërsa për kontratat me afat të pacaktuar, paralajmërimi i shkëputjes së kontratës është 30 ditë paraprake”, thuhet në komunikatën e OAK-ut.

Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar që për kontrata me afat të caktuar, paralajmërimi i dorëheqjes apo largimit nga puna të jetë 30 ditë për të dyja palët, ndërsa për kontratat me afat të pacaktuar, paralajmërimi dorëheqjes apo largimit nga puna të jetë 90 ditë për të dyja palët.

“Gjithashtu, sipas nenit 42 që thotë ”Nëse kontrata e punës shkëputet, sipas Nenit 35 barra e provës mbetet mbi punëdhënësin”, ku në këtë rast mund të vërejmë që në rast se punëtori largohet nga puna pa paralajmërim nuk ka asnjë ndëshkim, ndërsa kur punëdhënësi e largon punëtorin pa paralajmërim mund të gjobitet deri në vlerën 40.000 euro”, thekson OAK-ja.

Në këtë kërkesë përmendet dhe Ligji i Pushimit të Lehonisë, ku kërkohet që pagesa e pushimit të lehonisë të mbulohet 100% nga shteti.

“Duke pasur parasysh që Kosova është vendi me papunësinë më të madhe në rajon dhe shkallën e punësimit të femrave prej 12.6% nga 600,000 femra në moshë pune, OAK e konsideron që kjo është një nga arsyet e papunësisë së tyre pasiqë shumë biznese hezitojnë të punësojnë femra në momentin që e konsiderojnë që në të ardhmen ata duhet të paguajnë 70% të pagës bazë për 6 muaj dhe njëkohësisht të paguajnë një punëtorë/e të ri për të njejtin vend të punës”./Zëri