Kardiologu Tefik Bekteshi alarmon për keqmenaxhim në QKUK, po pësojnë pacientët

Kardiologu Tefik Bekteshi alarmon për keqmenaxhim në QKUK, po pësojnë pacientët

Aktuale August 13, 2020 - 10:32

Internisti dhe kardiologu Tefik Bekteshi ka akuzuar për keqmenaxhim në QKUK. Ai sot ia ka dërguar një letër kryeministrit dhe ministrit të Shëndetësisë, ku ka alarmuar se nga keqmenaxhimi po vuajnë pacientët.

Bekteshi ka numëruar shumë shkelje.

“Mjekët me specializime të ndryshme thjesht nuk janë kompetentë për mjekim të pacientëve me sëmundje infektive – rrezikojnë pacientin, por edhe veten duke e rritë enorm numrin e punëtorëve shëndetësorë të infektuar. Me këtë ulet potenciali i shpërbemeve shëndetësore”, ka thënë ai.

Sipas Bekteshit, pandemia është aktuale dhe menaxhimi i saj gjithëpërfshirës është i domosdoshëm.

“Karakteristikat e virusit duhet t’i studiojë mikrobiologu. Sëmundjen, manifestimet e saj në individë i studion infektologu, ndërsa me parandalim të sëmundjes në popullatë merret epidemiologu. Mjekët tjerë duhet të përcjellin të dhënat aktuale dhe të kujdesen për të sëmurët që i kanë në mbikëqyrje. Pra, jo të gjithë duhet të dinë çdo gjë, ose të bëhen se dinë çdo gjë!”, thekson ai, raporton “Zeri.info”.

COVID-19 është sëmundje infektive, prandaj Bekteshi thotë se duhet shëruar nga infektologu.

Ai bën të ditur se në QKUK janë formuar reparte, edhe klinika të tëra, të cilat merren me shërimin e COVID-19.

“Po në këto reparte dhe klinika nuk ka infektologë!? Bile nuk e bëjnë as mbikëqyrjen.

Të gjithë infektologët janë të përqendruar në Klinikën Infektive me 100 pacientë. Këto reparte nuk kanë protokoll mjekimi, të cilin duhet përpiluar (ose aprovuar) nga infektologu - si të diagnostikohen dhe shërohen pacientët nga COVID-19. Kështu virusi u fut në mënyrë aktive kudo në QKUK, në klinikat vitale. Bile edhe aty ku mjekohen kategoritë të popullatës më të ndjeshme, siç janë shtatzënat...

Keqmenaxhim i qartë – pëson pacienti, sepse mjekët me specializime të ndryshme thjeshtë nuk janë kompetentë për mjekim të pacientëve me sëmundje infektive – rrezikojnë pacientin, por edhe veten, duke e rritë enorm numrin e punëtorëve shëndetësorë të infektuar. Me këtë ulet potenciali i shpërbemeve shëndetësore” ka thënë ai.

Shkeljet e evidentuara nga Bekteshi në QKUK, si dhe rekomandimet që ai jep për të krerët e vendit:

Anesteziologët

janë profesionist të veçantë, pa ta nuk realizohen operimet që shpëtojnë jetë. Janë të aftësuar që të mbajnë funksionet vitale të njeriut derisa kryhen operimet më të komplikuara. Janë të aftësuar për punë me respiratorë, makina të cilat sigurojnë në mënyrë artificiale oksigjenimin kur organizmi vetë nuk është në gjendje të bëjë këtë. Komplikimet më trishtuese të COVID-19 janë në mushkëri dhe atëherë shumë nevojitet respiratori dhe anesteziologu! Për të bërë punën sa më funksionale logjika thotë që respiratorët të grumbullohen në një vend në mënyrë që të mbikëqyren me sa më pak anesteziologë.

Anesteziologët, sipas menaxhimit të tanishëm në QKUK, duhet të mbikëqyrin 24 orë dy kujdese intensive qendrore, respiratorët në objektin e Mjekësisë Sportive, në Klinikën Infektive, në Intensive, në Gjinekologji, në Kardiokirurgji, si dhe operimet urgjente që bëhen në klinika (gjinekologji, ofatlmologji, ORL, kirurgji...), besa janë edhe në komisione të ndryshme. Këta njerëz janë shumë të vlefshëm për sistem shëndetësor, por nuk janë supermen, do të lodhen, do t’i humbim! Keqmenaxhim!

Shërbimet vitale

Qendra Klinike Universitare është institucion i vetëm publik ku jepen shërbime të kardiokirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë vaskulare, kardiologjisë invazive... Mjekët dhe infermierët në këto shërbime janë ngushtë të specializuar, prandaj duhet të ruhen që të janë të aftë në çdo kohë për dhënie të shërbimit për të cilin janë aftësuar! Jo, kjo nuk përfillet, dërgohen në reparte ku merren me pacientë të dyshuar ose pacientë të verifikuar që kanë COVID-19!

Këto resurse me vite merren me patologji të ngushtë dhe janë më pak kompetentë për mjekimin e pacientëve me simptoma të zakonshme të sëmundjeve infektive: kolla, temperatura, barkqitja... Njëkohësisht ulet potenciali për dhënie të shërbimeve mjekësore të veçanta në QKUK. Kjo vlen edhe për infermierë – transferohen me dhjetëra e qindra nga reparti në repart. Keqmenaxhim!

Në prapavijë interesa tjera?

Kardiologjia Invazive vitin e kaluar ka realizuar 3335 koronarografi. Janë realizuar PCI procedura (stentime) te 1638 pacientë, mbi 1200 në infarkt akut të zemrës. Më së shumti nga gjithë institucionet në Ballkan. Në këtë vit është vazhduar trendi i njëjtë sa u përket rasteve akute.

Mjerisht me urdhra të ndryshme janë ndaluar procedurat elektive (jourgjente). Por, duket se në spitale private ato vazhdojnë?! Apo me urdhensa selektive mund të vazhdojnë edhe në QKUK, si tendenca që të operohen fëmijë nga mjekë të jashtëm që ishte disa ditë më parë?!

Më tepër, në QKUK hapësira e veprimit të Kardiologjisë Invazive zvogëlohet në minimum. Bëhen jofunksionalë 17 shtretër të intensives kardiologjike. Zvogëlohen edhe kapacitetet e mjekimit intensiv (ku mjekohen pacientë pas traumave në komunikacion, pas komplikimeve të operimeve të rënda, pacientë në komë)… Keqmenaxhim ekstrem!

Dhe në fund, a janë zhdukur sëmundjet tjera – shputa diabetike me gangrenë, karcinoma e gjirit, infarkti i zemrës, pika në tru, sëmundjet psikike ... si të trajtohen këta të sëmurë kur janë suprimuar shërbimet jourgjente shëndetësore? Do të pritet në pafundësi për operime të sëmundjeve malinje, vaskulare, intervenimeve kardiologjike në institucione publike ose do të lihet kjo sferë vetëm për institucionet private?!

Në gjithë boten analizat dëshmojnë se vdekshmëria nga patologjia jo-COVID është rritë, është cenuar gjendja psikike e popullatës dhe individit. Te ne është ndryshe?!

Zotëri të nderuar, menaxhimi ose keqmenaxhimi i COVID-it, pandemisë në Kosovë, është në duar tuaja – aspektet informative, sociale, ekonomike, të sigurisë..., por edhe shëndetësore e këtu QKUK-ja luan rol qendror!