Aksidentohet djali i presidentit Thaçi, u trajtua sot në Emergjencën e QKUK-së

Aksidentohet djali i presidentit Thaçi, u trajtua sot në Emergjencën e QKUK-së

Aktuale August 13, 2020 - 15:52

Djali i presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, është aksidentuar sot në orët e hershme të mëngjesit, në Prishtinë.

Gazeta “Shneta” ka mësuar nga burime të sigurta brenda Klinikës Emergjente se ai është dërguar me urgjencë, pasi ka pësuar disa lëndime në aksident.

“Është pranuar në Emergjencë pas orës 5:00 të mëngjesit. Ka pas disa lëndime të lehta, gjakderdhje nga hundët. I janë bërë të gjitha ekzaminimet, RTG dhe CT e pastaj është liruar për në shtëpi”, ka thënë ky burim.

Gazeta ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, e cila e ka konfirmuar aksidentin, por nuk ka dhënë detaje për emrat e personave të përfshirë në aksident. “Sot, në orën 05:25, në rrugën Prishtinë – Ferizaj, te rrethrrotullimi afër stacionit policor ‘Jugu’ ka ndodhur një aksident në mes të tri automjeteve. Si pasojë e aksidentit një person është lënduar. Me rastin po merret Njësiti i Trafikut”, ka deklaruar zëdhënësja e PK-së, Flora Ahmeti.

Gazeta ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Zyra e Presidentit të Kosovës, por nuk kanë kthyer përgjigje në adresën elektronike. Njëjtë nuk kanë dhënë sqarime as zyrtarët e QKUK-së. Gazeta ka kontaktuar me drejtorin e Klinikës Emergjente, dr. Basri Lenjani, por ai nuk është përgjigjur. Përgjigje nuk ka kthyer as Zyra për Informim e QKUK-së.