Musliu paralajmëron destabilizim të vendit nëse shteti nuk ndërhyn në mbrojtje të kufirit në Karaçevë

Musliu paralajmëron destabilizim të vendit nëse shteti nuk ndërhyn në mbrojtje të kufirit në Karaçevë

Aktuale August 14, 2020 - 12:21

Deputetja Ganimete Musliu ka denoncuar në Kuvend përfaqësuesit shtetërorë për dështim të mbrojtjes së territorit të vendit në kufi me Serbinë dhe sigurinë e banorëve të kësaj ane.

Hyrja e xhandarmërisë serbe në Karaçevë ditë më parë.

Musliu tha se PDK-ja e sheh shqetësues faktin që institucionet e kaluan në heshtje këtë provokim të rëndë të Serbisë. Ajo tha se shteti ka dështuar të reagojë dhe sipas saj ka pasur vetëm reagime joprofesionale, raporton “Zeri”.

Musliu ka vënë në pikëpyetje funksionimin e Këshillit të Sigurisë. “Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur për të thirrur kryeministrin për gjendjen në Karaçevë. Konsiderojmë se është gabim që Këshilli i Sigurisë së Kosovës nuk është thirrur për këtë rast. Pse ekziston ky këshill? Kjo neglizhencë shtetërore është rrezik për destabilizim të vendit, sepse në mungesë të reagimit të shtetit krijohet hapësirë që individë të papërgjegjshëm të shkaktojë një reaksion ngjarjesh të padëshiruara”, tha Musliu, duke akuzuar se ky provokim u menaxhua keq.

“S’kam asnjë dyshim për këtë. U shkel sovraniteti i vendit”, tha ajo, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të Kosovës që të ofrojë siguri të plotë për banorët e Karaçevës dhe ata që jetojnë në brez kufitar.

“Territori i Kosovës duhet të mbrohet me mekanizma shtetërorë dhe jo t’u lihet vetë në dorë banorëve. Kosova ka institucionet e saj dhe duhet të reagojnë. Kosova nuk ka nevojë për defilime të liderëve në atë pjesë. Arsyetimi i KFOR-it pas 24 orëve se patrullat janë normale, nuk janë aspak”, tha Musliu, duke theksuar se Kosova ka nevojë që siguria e vendit - shkelja e sovranitetit të diskutohet në Kuvend.

Ajo ka theksuar se ky është një rrezik për destabilitet të vendit dhe se Kosova ka nevojë që të ndërmerret diçka në këto situatë e jo vetëm të bëhen vizita në vendngjarje. “Se ky provokim u menaxhua keq nuk ka asnjë dyshim. Arsyetimi i KFOR-it pas 24 orëve se patrullat janë normale nuk janë aspak të arsyeshme. Territori i Kosovës duhet të mbrohet me mekanizma shtetërorë të sigurisë e jo të vetorganizohen qytetarët. Nuk ka nevojë Kosova për defilime të liderëve në atë vend, por të ndërmerret diçka për të”, theksoi Musliu në fjalën e saj në Kuvend. /Zëri