Kërkohet përgjegjësi nga qeveria “Hoti” për hyrjen e xhandarmërisë serbe në Kosovë

Kërkohet përgjegjësi nga qeveria “Hoti” për hyrjen e xhandarmërisë serbe në Kosovë

Aktuale August 14, 2020 - 12:46

Në seancën e sotme plenare në Kuvend tema kryesore e diskutimit është hyrja e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës.

Përderisa LDK-ja këtë çështje po e paraqet si teknike, e cila ndodh qe 20 vjet, tri parti të tjera parlamentare e konsideruan këtë si shkelje të sovranitetit të vendit dhe rrezik për destabilizim.

Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, akuzoi kryeministrin Avdullah Hoti për mosndërmarrjen e asnjë veprimi pas këtij incidenti, që sipas tij është më i rëndi që nga viti 2012.

“Kushtetuta në të cilën thirrej me plotë gojë Avdullah Hoti me 7 gusht bë copë-copë dhe u shkel rëndë në mes të ditës. Hyrja e personave të uniformuar është një nga incidentet më të rënda që nga viti 2012, ky është një provokim i hapur, cenim integritetit, cenim i sovranitetit shtetëror dhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare… ky incident më shumë se incident i sigurisë është diplomatik dhe duhet të shihet në këtë rrafsh në raport me dialogun. Por kjo qeveri nuk bëri asnjë hap as në rrafshin e sigurisë, e aq më pak diplomatik” tha ai.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha kërkoi që ky incident mos të relativizohet nga askush, derisa kritikoi ministrat që mbulojnë sektorin e sigurisë për mos raportim para kuvendit.

“Incidenti ndërkufitar me Serbinë nuk bënë të relativizohet nga askush. Qofshin nga ata që janë në qeveri apo opozitë. Pavarësisht se kush është në detyrë…nëse i kanë marrë detyrat këta persona atëherë të përballen me përgjegjësi. Ndonjëherë duhet dhënë përgjegjësi besa shpesh sidomos njerëzit që i kemi zgjedhur për këto detyra”, u shpreh ai.

Por, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi këtë e konsideron si teknike që veprohet tash e 20 vite.

“Kjo hyrje është bërë në bashkëpunim dhe patrullim me forcat paqeruajtëse të NATO-s. Kjo përsëritet se 20 vite sepse edhe forcat e NATO-s kalojnë në anën tjetër, pra është çështje teknike…e dina që është problem një pjesë e kufirit të Kosovës, ky është problem por ejani të zgjidhim. Jo të ndërtojmë kauza dhe akuza të paqena me qëllim se të fitojmë opinionin publik përkohësisht por besoni që nuk e fitoni”, tha ai./KP/