Veliu për rastin në Karaçevë paralajmëron se do të mblidhet Këshilli i Sigurisë dhe do të raportojë në Kuvend

Veliu për rastin në Karaçevë paralajmëron se do të mblidhet Këshilli i Sigurisë dhe do të raportojë në Kuvend

Aktuale August 14, 2020 - 13:06

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, është deklaruar tek sot për rastin që ndodhi në Karaçevë të Kamenicës, ku xhandarmëria serbe hyri në atë zonë.

Veliu tha se është duke kompletuar informacionet në tërësi rreth kësaj ngjarjeje, teksa theksoi se pasi pas kompletimit të të gjitha informacioneve do të raportojë edhe në Kuvend.

“Unë jam duke e kompletuar informacionin në tërësi se çka ka ndodhur në Karaçevë, e kam pas një takim me komandantin e KFOR-it, me të cilin e kam diskutuar situatën dhe i kam marrë informacionet e drejtpërdrejta nga ai, jemi në pritje të një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në të cilën do ta diskutojmë situatën e krijuar dhe çka ka ndodh në Karaçevë, dhe pas kompletimit të të gjitha informacioneve unë sigurisht do të raportoj në Komisionin Parlamentar, por nëse është nevoja edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ai ka thënë se komandanti i KFOR-it e ka pranuar kërkesën e tij që Policia e Kosovës të patrullojë në atë pjesë dhe se kjo ka mbetur të diskutohet edhe me drejtorin e Policisë për detaje të veprimit.

“Në takim me komandantin e KFOR-it kam kërkuar që patrullimet e njëjta të sinkronizuara dhe të tjera, sikurse bëhen me forcat serbe, të bëhen edhe me Policinë e Kosovës, komandanti i KFOR-it e ka pranuar me kënaqësi kërkesën time dhe ka mbetur për t’u diskutuar edhe me drejtorin e Policisë për detaje të veprimit”, tha Veliu. /Zëri