AGK-ja shpreh shqetësim për pengimin e ekipit të RTK-së në Zubin Potok

AGK-ja shpreh shqetësim për pengimin e ekipit të RTK-së në Zubin Potok

Aktuale August 14, 2020 - 14:14

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se ekipi i Radio Televizionit të Kosovës është sulmuar sot në Zubin Potok nga një grup personash me uniformë të njëjtë, ku shihej flamuri i Serbisë.

AGK-ja ka bërë të ditur se ekipi i kameramanëve të RTK-së, edhe pse kishin leje nga KFOR-i të xhironin në Zubin Potok, gjatë ditës së djeshme në mënyrë ilegale janë penguar të xhironin. Ndërkaq, më pastaj ata janë përcjellë edhe për në stacionin policor.

“Dje kemi qenë zyrtarisht duke xhiruar liqenin e Ujmanit. Kemi pas leje nga KFOR-i dhe Policia për xhirim me dron. Duke filmuar fillimisht ka ardhur një veturë, i ka kontrolluar targat e automjetit tonë, janë interesuar se kush jemi dhe kanë shkuar. Pastaj kanë ardhur edhe dy vetura me katër persona. Dy prej tyre kanë qenë me një uniformë që shkruante ‘sigurimi’ në gjuhën serbe. Ata kanë fotografuar gjatë gjithë kohës dhe kanë kërkuar që t’i ndërpresim xhirimet. Nuk na kanë lënë të lëvizim dhe kërkonin me presion që me i fshi fotografitë, të cilat ua bëra atyre. Na kanë mbajtur aty derisa ka ardhur policia për të na marrë e që për ekipin ishte një presion i madh. Pas 15 minutave kanë ardhur tre policë serbë, të cilëve ua kam treguar lejen për xhirim dhe ID-të. Pastaj jemi shoqëruar për në Stacionin e Policisë në Zubin Potok. E gjithë kjo ndalesë ka zgjatur afro 2 orë derisa Policia e Kosovës pastaj na ka liruar. Tri herë radhazi kam provuar ta lajmëroj redaksinë, por një gjë e tillë nuk më është lejuar”, ka sqaruar kameramani Mumin Jashari për AGK-në.

AGK-ja vlerëson se veprimet e këtilla ndaj gazetarëve që janë në detyrë përbëjnë presion ndaj tyre. AGK-ja ka kërkuar nga autoritetet përkatëse që sa më shpejt t’i identifikojnë këta persona që penguan ekipin e RTK-së për të xhiruar në Zubin Potok dhe të marrin masat adekuate rreth rastit. /Zëri