Ish-diplomati amerikan: Hoti dhe Vuçiq nuk kanë gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë

Ish-diplomati amerikan: Hoti dhe Vuçiq nuk kanë gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë

Aktuale August 15, 2020 - 12:53

Kosova dhe Serbia nuk janë të përgatitura që në këtë kohë të bëjnë kompromise për arritjen e një marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-zëvëndës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane, Thomas Countryman.

Duke komentuar takimin e paralajmëruar për 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, Countryman thotë se nuk mund të pritet shumë nga ky dialog dhe më e pakta që mund të arrihet është një nxitje që të dy liderët të angazhohen më shumë në dialogun e Brukselit.

Në këtë intervistë, ish-përgjegjësi për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, tash drejtor i bordit të Asociacionit për Kontrollin e Armëve, Thomas Countryman, thotë se edhe nëse kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të bënte kompromise me Serbinë, ai e ka të vështirë të sigurojë miratimin e tyre në Kosovë, për shkak të rivaliteteve politike që aktualisht po ndodhin brenda Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator. Një takim i ngjashëm ishte paraparë të mbahej në muajin qershor, por u anulua për shkak të njoftimit nga Zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë se ka paraqitur për shqyrtim një aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Si i komentoni këto zhvillime?

SHBA për takimin e 2 shtatorit: Përparimi ekonomik e çon përpara procesin paqësor

Thomas Countryman: Gjëja e parë që është e rëndësishme të kuptohet është që i vetmi prioritet për Shtëpinë e Bardhë këto ditë është rizgjedhja e presidentit (të Shteteve të Bashkuara, Donald) Trump. Ajo çfarë Shtëpia e Bardhë po synon, është një mundësi për një fotografi, ku presidenti do të mund të pretendonte një sukses të politikës së jashtme, pasi ai ka pasur zero suksese në politikën e jashtme në tre vite e gjysmë. Por, unë nuk shoh që (presidenti serb) Aleksandar Vuçiq dhe (kryeministri i Kosovës) Avdullah Hoti kanë vullnet dhe gatishmëri për të arritur një marrëveshje kuptimplotë në takimin e Shtëpisë së Bardhë.

Radio Evropa e Lirë: Por, ambasadori Grenell është emëruar në këtë pozitë në tetor të vitit 2019. Ai nuk ka qenë një vit elektoral. Bisedimet e ndërmjetësuara nga ai prodhuan disa marrëveshje mes dy vendeve. A mendoni se Shtetet e Bashkuara më shumë janë të interesuara që të zgjidhin përfundimisht çështjen mes Kosovës dhe Serbisë?