Haradinaj përkujton masakrën e Abrisë së Epërme: Do të kërkojmë drejtësi deri në njeriun e fundit

Haradinaj përkujton masakrën e Abrisë së Epërme: Do të kërkojmë drejtësi deri në njeriun e fundit

Aktuale September 26, 2020 - 09:25

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka përkujtuar masakrën e ndodhur në fshatin Abri e Epërme 22 vjet më parë.

Haradinaj i cili udhëheq dhe një nga partitë opozitare me ndikim në vend, AAK-në, është politikani i parë që ka përkujtuar tragjedinë e familjes Deliu ku u masakruan dhe foshnje, shkruan "Zeri.info".

“22 vjet më parë familja Deliu u masakrua nga forcat serbe duke mos kursyer as pleq e fëmijë. Për masakrimin e kësaj familje të pafajshme ende nuk mori dënimin askush”, ka shkruar ai në një postim në rrjetin social “Facebook”.

Haradinaj thekson se do të vazhdohet të kërkohet drejtësi deri në njeriun e fundit.

“Kosova e pagoi shtrenjtë okupimin, me spastrim etnik e shkatërrime, që nuk janë asgjë krahasuar me humbjet njerëzore. Sot në njëzetedy vjetorin e masakrës në Abri të Epërme, kujtojmë martirizimin e familjes Deliu, të cilët nuk u kursyen, pa dallim moshe, që nga foshnjet e deri te pleqtë. Ata ishin të pafajshëm, por askush nuk u dënua për vrasjen e tyre. Ne do të qëndrojmë gjithmonë pranë familjeve që humbën të dashurit, e do kërkojmë drejtësi deri në njeriun e fundit. Lavdi!”, është shprehur Haradinaj.

Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë ditë ishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.

Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. /Zëri