Hoti insiston: Tema e Asociacionit nuk do të hapet në Bruksel
Foto: Laura Hasani

Hoti insiston: Tema e Asociacionit nuk do të hapet në Bruksel

Aktuale September 28, 2020 - 10:08

Qeveria e Kosovës vazhdon të përsërisë se tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk do të diskutohet në dialogun me Serbinë në Bruksel.

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka thënë sot kjo temë është përmbyllur në vitin 2013, kur edhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, raporton “Zeri.info”.

“Sa i përket temës së Asociacionit, ajo temë nuk hapet sepse është përmbyllur me marrëveshjen e vitit 2013, që është ratifikuar në Kuvend e Kosovës dhe mandej është marrëveshja e parimeve në vitin 2015, si e tillë Asociacioni nuk do të diskutohet, ka tema tjera që do diskutohen”, ka thënë Hoti sot në një konferencë për media, raporton “Zeri.info”.

Kreu i Qeverisë është zotuar se do të kujdeset që procesi i dialogut të mos ndërpritet për faj të Kosovës.

“Unë do të kujdesem që procesi i dialogut të shkojë përpara, nëse për ndonjë arsye nuk mund të vazhdojë dialogu, atëherë do të jetë jo për shkak të Kosovës, po për shkak të Serbisë, që nuk është e gatshme të shkojë drejt marrëveshjes përfundimtare”, ka shtuar ai.

Ndryshe, zyrtarët serbë ditë më parë kanë kërkuar që tema e Asociacionit të rikthehet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, për çka ka pasur edhe paralajmërime për ndërprerje të bisedimeve nga ana e tyre. /Zëri