Një muaj paraburgim pronarit të kompanisë, që i shkuan dy milionë nga Thesari

Një muaj paraburgim pronarit të kompanisë, që i shkuan dy milionë nga Thesari

Aktuale October 27, 2020 - 15:38

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit K.SH. për shkak të veprës penale “Shpëlarja e parave” nga Neni 302 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës lidhur me veprën penale të “Pastrimit të parave”, nga Neni 56 i Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit K.SH. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, duke filluar prej datës 26 tetor 2020 deri më datën 25 nëntor 2020.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit është e bazuar dhe paraburgimi i është caktuar në bazë të Nenit 187, par. 1, nënpar. 1 dhe 2, pika 1.2.2 dhe pika 1.2.3 të KPP-së.

Të pandehurit K.SH. i është caktuar masa e paraburgimit, pasi mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë, mund të pengon rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar dhe bashkëpjesëmarrës tjerë, andaj caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurin K.SH. është masë adekuate për sigurimin e pranisë së tij në procedurë penale.

I pandehuri K.SH. dyshohet se së bashku me të pandehurin L.G. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe autorizimit nga Neni 414, par. 2 dhe 3 pika 3.4 në lidhje me paragrafin 1 të KPRK-së, “Shpëlarja e parave”, nga Neni 302 i KPRK-së, lidhur me veprën penale të “Pastrimit të parave”, nga Neni 56 i Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, ndërlidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.

Palët kanë të drejtën e ankesës kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.