Pezullohet përkohësisht konkursi në KEK për 171 vende pune

Pezullohet përkohësisht konkursi në KEK për 171 vende pune

Aktuale October 27, 2020 - 19:15

Bordi i Përkohshëm i drejtorëve të KEK-ut ka mbajtur sot mbledhjen e parë zyrtare ku kanë diskutuar për objektivat dhe sfidat e korporatës, përcjell Zeri.info.

Në këtë takim është marrë vendim për pezullim të përkohshëm të konkursit në këtë korporatë.

“Në këtë takim Bordi i Përkohshëm ka pezulluar përkohësisht konkursin deri në analizimin më të detajizuar të skemës funksionale organizative”, është thënë në njoftimin për media të KEK-ut.

Konkursi i hapur në muajin shtator, tashmë i pezulluar i KEK-ut, kishte të bënte me 171 vende pune, nga ta 20 teknikë të xehetarisë, 60 teknikë të makinerisë, 30 teknikë të elektroenergjetikës, 7 teknikë të ndërtimtarisë, 13 teknikë të kimisë dhe 13 saldues.

Po ashtu, KEK-u kërkonte edhe 8 metalgëdhendës dhe 20 manipulues të shiritave transportues.

Në këtë takim, ndër të tjera, u.d Kryeshefi Ekzekutiv Luigj Imeri ka njoftuar kryesuesin Musa Misini dhe drejtorët e Bordit të Përkohshëm të KEK-ut, Petrit Ibraj, Fadil Hoxha dhe Fatime Grajqevci për aktivitetin e korporatës për nëntë mujorin e këtij viti, sfidat me theks të veçantë në implementimin e projekteve kapitale dhe gjendjen e krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19 si dhe menaxhimin e mirë të kësaj situate deri më tani.

Ndërkaq Misini ka theksuar se Bordi i përkohshëm i drejtorëve, si përfaqësues i aksionarit të vetëm (qeverisë) ka përgjegjësinë për performancën e mirë të KEK-ut.

Më tej, ai ka thënë se Bordi i Përkohshëm është i përkushtuar për qeverisjen e korporatës në përputhje me përgjegjësitë për qeverisjen korporative gjithnjë duke respektuar Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe rregulloret e Brendshme të Korporatës.

Po ashtu Misini ka potencuar se në radhë të parë duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë shëndetit dhe sigurisë së punonjësve të KEK-ut, dhe ka inkurajuar menaxhmentin që të angazhojë të gjitha kapacitetet për menaxhimin sa më të mirë të gjendjes aktuale si pasojë e pandemisë COVID-19.

“Fare në fund, Bordi i përkohshëm ka përshëndetur angazhimin e menaxhmentit dhe punëtorëve për rezultatet e arritura si në aspektin operative ashtu edhe në atë financiar. Në mbledhjen e ardhshme të rregullt të caktuar për të premten dt: 30.10.2020, Bordi i Përkohshëm pritet të diskutojë buxhetin për vitin 2021, Draft planin e strategjisë së KEK-ut 2021-2025 si dhe planin afarist”, thuhet në njoftim. /Zëri