Përmbaruesi ia bllokon “Trepçës” llogaritë bankare

Përmbaruesi ia bllokon “Trepçës” llogaritë bankare

Aktuale October 27, 2020 - 19:33

Pas bllokimit të llogarive bankare të Telekomit të Kosovës si pasojë e borxhit milionësh që kjo ndërmarrje ia ka kompanisë “Dardafon”, njëjtë ka ndodhur edhe me ndërmarrjen “Trepça”.

Kësaj ndërmarrjeje i janë bllokuar sot llogaritë bankare, shkaku i disa borxheve që i kanë ndaj furnitorëve.

Këtë e ka konfirmuar për “Zërin”, kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Hysen Vrajolli.

Ai tha se nuk kanë pasur mundësi që t’i paguajnë operatorët ekonomikë, për çka thotë se ata, së bashku me përmbaruesin, i kanë bllokuar këto llogari.

“Janë bllokuar se nuk kemi mundësi t’i paguajmë operatorët ekonomikë, ata me përmbaruesin i kanë bllokuar llogaritë deri sa ta shesim koncentratin”, tha ai për “Zërin”.

Ndërsa sa i përket totalit të borxhit që kjo ndërmarrje ua ka këtyre furnitorëve, ai nuk tregoi.

“Borxhin nuk e di saktësisht, nuk na kanë tregu sa, veç i kanë blloku llogaritë”, përfundoi ai.

Kjo nuk është hera e parë që kësaj ndërmarrjeje i janë bllokuar llogaritë bankare.

Ditë më parë, Qeveria emëroi bordin e ri të përkohshëm të ndërmarrjes “Trepça”. Në këtë bord u emëruan Sylejman Hyseni kryesues, kurse anëtarë Shyqiri Sadiku, Esat Peci dhe Safet Sadiku./Zëri